EXPRESS

Elezi dhe La Luz hapin garën e kompozitorëve të Ballkanit

Publiku në Atelienë Pallatit të Rinisë dhe Sportit ishte përgatitur për një koncert jo fort të zakontë. Pianistja Natyra Elezi dhe DJ Daniela la Luz sollën harmonizuan klasiken me elektroniken. Koncerti ka ardhur si ikje prej një zhanri të caktuar, nisi me veprën e kompozitorit amerikan, Frederic Rzewski, “Second Structure” të vitit 1972. Por loja e dyshes, Elezi dhe La Luz, e ka sjellë aty në një frymë krejt tjetër, njësoj si loja në piano.

Dyshja interpretoi edhe një improvizim që erdhi si vepër më vete. Gjatë kësaj kohe, një theks të veçantë mori muzika elektronike e La Luzit.

Për Elezin, e cila ka një dekadë që s’ka interpretuar në Kosovë, koncerti ka qenë tejet emocionues.

“Kam qenë shumë e stresuar para se të dilja, sepse para familjes dhe shoqërisë që e kam në Prishtinë nuk kam luajtur qe 10 vjet dhe ishte një lloj presioni për të luajtur sa më mirë, por edhe për të krijuar një atmosferë sa më të mirë për të gjithë njerëzit që vijnë për të parë sidomos, sepse ata ta kushtojnë ty një copë nga koha e tyre. Kjo është edhe një lloj përgjegjësie për cilindo muzikant”.

Për muzikën që luan dhe specifikat e saj ka folur edhe artistja e muzikës elektronike, La Luz. Ajo ka thënë se ky kombinim ka ardhur si rezultat i asaj se “muzika është muzikë” dhe se nuk është i domosdoshëm koncentrimi në vetëm një zhanër të caktuar.

“Si fëmijë kam dëgjuar zhanre të ndryshme të muzikës, pa marrë parasysh nëse ka qenë Elvis Presley, Chopin, Nirvana apo dikush tjetër. Muzika është muzikë e edhe Natyra mendon të njëjtën gjë, kështu që ne përpiqemi të mos krijojmë diçka specifike për një zhanër. Gjëja më e rëndësishme për ne është të jemi të lira, sepse skena klasike ka të bëjë me prova, prova, prova dhe ndonjëherë është mjaft e kufizuar. Na pëlqen të dalim përtej saj, sepse ne kemi shpirt të lirë, kështu që qëllimi ynë është të krijojmë diçka midis xhazit, muzikës klasike e ndoshta edhe asaj popullore”.

Themeluesi i Garës së Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë, Dardan Selimaj, ka treguar se si ishte njohur fillimisht me këto dy artiste. Fakti se ato kishin kombinuar dy lloje zhanresh krejt të kundërta, kishte bërë që Selimaj t’i shihte si dy artiste të denja për ta hapur këtë garë.

“Natyra Elezi dhe Danile la Luz janë dy artiste që unë i njoh në rrethana të ndryshme. Natyrën si pianiste të skenës kosovare dikur, e re, e talentuar, me perspektivë. Danielën si një artiste e muzikës elektronike të cilën kam pasur rast ta dëgjoj për herë të parë në një prej eventeve të ‘Hapësirës’. Daniela ka një karrierë të suksesshme si DJ dhe kur e kam parë që dy artiste, që unë i kam pëlqyer në dy kontekste të ndryshme, janë bërë bashkë, kam menduar që është programi ideal për ta hapur Garën e Kompozitorëve të Ballkanit”.

Në rolin e themeluesit dhe organizatorit, Selimaj ka treguar edhe për ecurinë që do të ketë kjo garë kompozitorësh. Ai ka vlerësuar veçmas bashkëpunimin që këtë vit do të kenë me NEC – Nouvel Ensemble Contemporain (Ansambli i Ri Bashkëkohor).

“Edicioni i Tretë i Garës së Kompozitorëve të Ballkanit po kthehet në komunikim me publikun, sepse edicionin e dytë kemi qenë krejt online për shkak të pandemisë. E kemi themeluar në vitin 2019 si platforme për t’u dhënë mundësi kompozitorëve të rinj të punojnë me ansamble të vendeve evropiane. Ndryshe nga dy edicionet e mëhershme kur bashkëpunimin e kemi pasur me një kolektiv muzikor holandez, kësaj here e kemi zhvendosur në Zvicër me ansamblin ’Nec’, që është ansambli i muzikës bashkëkohore dhe na vjen mirë që kemi arritur këtë bashkëpunim, sepse “Nec” është një prej ansambleve me reputacion dhe besoj se do t’ia shtojë peshën garës”.

Gara tashmë ka katër finalistë: Christos Ntovas dhe Konstantinos Chaliasas nga Greqia, Jetmir Zaganjorin nga Shqipëria dhe Ylli Daklanin nga Kosova. Përveç shpërblimit me “Rrëqebulli i Argjendtë” që ndahet më 7 prill, vepra fituese do të interpretohet në koncertin e ansamblit “Nec” në Zvicër më 11 prill.