EXPRESS

Ekspozita e Doruntina Kastratit në galeritë evropiane

Ekspozita “Heronjtë Publik dhe Sekretet” e artistes Doruntina Kastrati që shtjellon fatin e personave të aksidentuar në vendin e punës, vitin e kaluar u prezantua në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Që atëherë ka pasur një rrugëtim goxha të suksesshëm

“Kur mbaroi, vdekja as që na i mbylli sytë”, titullohet videoja e realizuar nga artistja Doruntina Kastrati, e cila pasqyron një klasë punëtore të dehumanizuar dhe të pashpresë.

Filmi i shkurtër është pjesë e ekspozitës “Heronjtë Publik dhe Sekretet”, që në korrik të vitit të kaluar u prezantua në Muzeun Kombëtar të Kosovës, e që atëherë ka pasur një rrugëtim të suksesshëm.

Ekspozita përfshin një seri të tri skulpturave figurative të instaluara në skele, secila duke mishëruar historinë e një aksidenti në vendin e punës.

Këto histori, Doruntina Kastrati ia ka dalë t’i dërgojë edhe në galeritë në Tiranë e Hamburg. Veç kësaj, ka marrë ftesë që atë ta prezantojë edhe në Romë, Paris e Beograd.

“Është bërë rreth 1 vit që kur është hapur ekspozita dhe gati tre vjet e gjysmë që kur ka filluar projekti “Heronjtë Publik dhe Sekretet”, përkundër që ka qenë periudhë e pandemisë dhe rrethanat se si është zhvilluar ekspozita dhe hulumtimi, mendoj që pas publikimit në media dhe pastaj kam marrë ftesa për ekspozita të tjera. Rrugëtimi ka qenë i jashtëzakonshme, është hera e parë që një ekspozitë e imja është kërkuar në kësi lloj përmasash” , është shprehur Kastrati.

Mesazhi që e përcjell ekspozita, Kastrati thotë se është mirëpritur edhe në vendet jashtë Kosovës dhe ekspozita është adaptuar shumë lehtë edhe në vendet e tjera.

“Përveç faktit që është si pikënisje Kosova, ajo çka ekspozita ka për tematikë nuk e prek vetëm Kosovën. Përkundrazi, mendoj që është problematikë regjionale dhe botërore. Të drejtat e punëtorëve nuk shkelen vetëm në Kosovë, punëtori si figurë eksploatohet në pothuajse të gjitha kontinentet. Andaj kushdo që e sheh këtë ekspozitë nuk mund të ndihet inferior”, ka shpjeguar ajo.

Artistja bashkëkohore në prill të këtij viti do të prezantohet për herë të parë me ekspozitë personale në Berlin të Gjermanisë. Edhe atje Kastrati do të prezantojë histori që lidhen me Kosovën.

“Ekspozita do të prezantohet më 29 prill dhe jam e gëzuar e në stres pasi që koha është shumë e ngjeshur. Në njërën anë po kam dëshirë të shkoj, dhe, në anën tjetër, pak e pamundur të shkoj. Atje është komplet një produksion i ri, po qëndroj edhe një kohë në skulpturat 3D me materiale si leshi dhe silikoni. Jam duke punuar në një film më të shkurtër ku trajtohet jeta e një punëtori”, ka shpjeguar tutje Kastrati.

Puna e saj është shfaqur në ekspozita të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare në gjashtë vjetët e fundi

Në vitin 2014, Kastrati fitoi çmimin Artistët e së Nesërmes, dhe në vitin 2016 ishte fituese e edicionit të parë të Fondacionit Hajde!.