Dizajnerja Dilbere Dërnjani ka arritur të krijojë një lidhje emocionale me profesionin të cilin përveç që është duke e studiuar, kishte nisur më parë dhe është duke e praktikuar tutje.
Mirëpo, ajo nuk do të mund ta ndjente kaq shumë profesionin nëse nuk do të niste t’i bënte hapat e parë, të cilat do të shënonin fillimin e një rrugëtimi të ri.
Përderisa sot është duke përfunduar një praktikë tjetër në Atelien “Ankand” në Prishtinë, ishte pikërisht shkolla e mesme periudha më e veçantë e jetës së saj, që do ta bënte të merrte vendimin e studimeve.
Nën emocione, Dilberja tregon se përderisa moshatarët e saj kishin pasur dilema për zgjedhjen e drejtimit akademik, ajo kishte ndarë mendjen shumë më herët për dizajnin e modës.
Në anën tjetër, Dilberja e kryen punën e saj me shumë dashuri dhe kjo më së miri vërehet kur flet për të. Madje, idetë e shumta që i sillen në kokë, e bëjnë që shumë shpesh të ndërrojë idenë e finalizimit të një veshjeje.
Ajo synon që dikur të realizojë brendin e saj personal, të cilës beson se do të mund ta bëj unike duke i dhënë shumë mund. Pavarësisht sfidave që mund t’i dalin përballë, Dilberja beson në fuqinë e artit të modës dhe përfaqësimin dinjitoz të vendit tonë përmes saj.