Filmi dokumentar “Dasmat dhe Pampersat”, me regji të Antoneta Kastratit dhe Cassey Cooper Johnson, u shfaq të mërkurën mbrëma në teatrin “Adriana” në Ferizaj.
Shumë të rinj të mbledhur për ta parë atë patën mundësi që nëpërmjet këtij filmi të hynin në shtëpitë e familjeve të vitit 2007, kur u realizua filmi. Projekti kinematografik shpërfaq se si 16 vjet më parë familjet në Kosovë e zhvillonin jetën e tyre martesore dhe e reflektonin mënyrën se si ajo ka qenë ndër vite.
Ideja e ndarjes së punëve në mes të gruas dhe burrit në familjet e intervistuara në këtë dokumentar u bë tema që ngjalli diskutimin mes panelisteve dhe publikut.
Kjo u tha se ishte edhe qëllimi i organizatës “TruAktiv”, megjithëse organizatorët u shprehen skeptikë në arritjen e të gjitha qëllimeve.
“Ne kemi shfaqur “Dasmat dhe Pampersat”. Ky film ka dalë në vitin 2007, por mendoj që ende është shumë aktual sepse flet për traditat martesore dhe paraqet dinamikat mes çifteve të martuara. Edhe arsyeja pse kemi ardhur këtu është që të nxisim një debat edhe t’i bëjmë të rinjtë që t’i mendojnë gjërat pak më ndryshe, sidomos për patriarkat dhe për tradita. Është vështirë të themi ‘po e kemi arritur qëllimin 100%’, por mendoj që sadopak dikujt ia kemi prekur paksa telat. Ose vetëm i kemi dhënë disa perspektiva pak më ndryshe”, deklaroi Hana Deva.
Mes panelisteve ishin Fortunë Haziri dhe Adelina Tërshani.
Diskutimi mes tyre dhe të rinjve ferizajas ishte një pasqyrë e zhvillimit ndër vite sa i përket ndarjes së punëve në familjet kosovare.
“Zakonisht mezi pres me dalë nga Prishtina, me zhvendosë aktivizmin edhe me fol për lëvizjen feministe në përgjithësi. Me fytyra të reja, në vende të reja edhe të mos përqendrohet e gjithë lëvizja në Prishtinë. Kështu që për mua ishte shumë kënaqësi të diskutoja me vajza dhe djem të rinj, e sidomos për filmin që e shikuam sepse prek tema të rëndësishme, të cilat kanë hapësirë për që të analizohen nga perspektiva gjinore. E pashë që jemi mirë nga pjesa e informimit, ka edhe më shumë punë për t’u bërë për të arritur në pikën ku nuk do të kemi nevojë me t’i diskutojmë normat gjinore”, tha Tërshani.
Salla në të kuqe e teatrit “Adriana” u bëri vend për disa orë të rinjve, por edhe diskutimeve të shumta që patën. Kjo mënyrë e kalimit të pasdites u pëlqeu të pranishmëve.
Ata u shprehen mikpritës ndaj këtyre aktiviteteve që do të donin të ishin më të shpeshta në qytetin e tyre.
“Filmi ka qenë i mrekullueshëm, sepse gjithë kohën ka nxitur ndjenja që këto mendimet tradicionale i nxisin. Shpesh isha e nevrikosur me karakteret që u shfaqeshin në film. Por në bazë të filmit e pashë se si ka qenë atëherë, a po ka ndonjë progres, ose tash cilat janë pikat që duhet të fokusohemi në shoqërinë tonë kur vjen puna te dallimet gjinore dhe vetëdijesimet që edhe gratë tashmë e kanë për veten”, deklaroi Tanusha Bytyqi.
“Si aktivist rinor që kam qenë dhe vazhdoj të jem, preferoj të kemi sa më shumë aktivitete të ndryshme, jo vetëm të një lëmi të caktuar por edhe atë kulturor, rinor dhe të tjerë. Sepse rinia ka qasje më të mirë nëse merret me aktivitete, sesa kur qëndrojnë pasivë. Përndryshe unë i ftoj krejt institucionet që të organizojnë sa më shumë aktivitete të tilla, që rinia të kenë një qasje ndryshe dhe një vend e hapësirë për diskutime”, tha Ardian Sadiku.
Filmi që sjell një të vërtetë të shoqërisë kosovare u shfaq në bienalen nomade “Manifesta” gjatë verës së kaluar. Në qytetin e Ferizajt u dha mbrëmë për herë të parë.