Shkodrani Irfan Domnori ngado që shkon, mban fustanellën dhe flamurin kombëtar. Kështu ka ardhur edhe për një aksion pastrimi të natyrës në Kosovë. Por emocionohet kur e kujton se çfarë i kushtoi kjo veshje në Mal të Zi.
“Isha i ftuar në qytetin e Ulqinit për një ekspozitë fotografike më 27 dhjetor 2019 dhe duke shkuar atje, Policia e Malit të Zi më ndaloi në doganën Muriqan-Suboginë, ku më arrestuan dhe përfundimisht më dënuan më 28 dhjetor 2019 me 10 ditë burg në burgun e Shpuzës, pikërisht për këtë flamur”, tha Domnori.
Ai në Kosovë për aksionin e pastrimit ka ardhur bashkë me 100 vullnetarë të tjerë nga qytete të ndryshme shqiptare.
Me qese në duar dhe me dashuri të madhe për ambientin, vullnetarët për atdhe të pastër ua rikthyen dinjitetin bukurive të Grykës së Rugovës, së paku gjatë ditës së diel.
Organizatori nga Kosova, Arianit Mula, thotë se pas pastrimit të Liqenit të Komanit, Fierzës e Grykës së Ishmit, radha ishte të pastrohet Gryka e Rugovës.
“’Vullnetarët për atdhe të pastër’ i kanë tri qëllime kryesore, e para është pastrimi fizik i ambienteve jo të pastra, gjë që po e bëjmë sot. E dyta është vetëdijesimi i të riut dhe ndërgjegjësimi i të moshuarit dhe qëllimi i tretë është promovimi i destinacioneve turistike”, tha ai.
Organizatori kuksian, Arben Kola, është tejet i indinjuar për gjendjen e tanishme të natyrës në trojet shqiptare.
“Si rezultat i tranzicionit të gjatë si në Shqipëri po ashtu edhe këtu pas luftës, ne harruam ose s’dinim dhe i hidhnim përditë plehrat nga dritaret shumica e shqiptarëve. Kjo duhet marrë fund. Prandaj përmes televizionit tuaj kam një thirrje për të gjithë shqiptarët që na shohin e na dëgjojnë: Ndal marrëzisë kolektive”, u shpreh Kola.
Në mesin e vullnetarëve kishte të tillë që panë për herë të parë bukuritë e Grykës së Rugovës.
“Nuk ka më mirë se sa të bësh mirë dhe në njëfarë mënyre ta paguajmë atë qiranë që ne banojmë në këtë tokë. Jemi banor të tokës e të paktën ta paguajmë duke e pastruar”, u shpreh Erjona Saqa.
Vullnetarja nga Tirana, Klevisa Lamaj ka një mesazh.
“Jemi të bekuar nga Zoti për natyrën që na ka dhuruar, ndjej nevojën për të shpërndarë një mesazh sensibilizimi për të mos hedhur kaq shumë mbeturina. Përveç kësaj ndoshta duhet të nisim në instanca më të larta, jo këtu në pastrim, shteti duhet ta bëj këtë gjë, që ne të grumbullojmë sa më pak të jetë e mundur”, tha Lamaj.
Vullnetarët për atdhe të pastër premtojnë që do të vazhdojnë ta përmirësojnë gjendjen ambientale, teksa bëjnë thirrje për kujdes dhe dashuri ndaj natyrës.