Para disa vjetësh artisti kosovar, Driton Selmani, nisi që artin e tij ta shpërfaqte në qese të plastikës. Bollëku i qeseve ia bëri të pashmangshme ikjen prej tyre, kështu që ato i ktheu në medium përmes të cilit tani zbërthen konceptet e tij artistike.
Gjithçka nisi në vitin 2018, kur artisti nga Kosova u inspirua nga një listë për blerjen e gjërave që ia kishte dhënë gruaja e tij.
“Seria quhet ‘Love letters’ dhe ka nisur si prezervim i mesazheve që unë i kam marrë nga gruaja ime gjatë kohës që kthehesha prej punës në shpi. Njëra prej pyetjeve që ia kam bërë vetës gjithmonë është; çka ka ndodh me sms-at e dashurisë që ia kemi shkruar njëri-tjetrit më herët?... dhe e vija në pikëpyetje, pse konsumerizmi edhe kapitalizmi kanë hyrë aq thellë, saqë çdo mesazh që e merrja ishte blej këtë, këtë, këtë.. dhe mua më pëlqej që ta prezervoja këtë lloj poezie që duket shumë materialiste, por thellë-thellë në shpirt besoj që është njëfarë kujdesi ndaj gatimit që manifestohet edhe në dashuri”, ka thënë ai.
Selmani ka shtuar se dikush kur gatuan për dikë i bie që ka dashuri dhe prandaj ai vendosi që t’i ruante qeset plastike me barkodet autentike dhe me mesazhin autentik që i vinin në telefon.
Prej asaj kohe e deri tash këndvështrimet, qasja dhe mënyra e prodhimit të veprave mbi qese kanë evoluar shumë.
Edhe
Driton Selmani me “Letra dashurie” në qese plastike, pyet në Kopenhagë
“Vetë rrëfimi filloi me evoluua dhe për herë të parë fillova me përdorë tekst në veprat e mia. Njëfarë rrëfimi i alter egos me vetën, bashkëbisedim, prezervim sa që tash më duket që i kam katër sy, katër vesh, dëgjoj më shumë, shoh më shumë. Pasuri në fjalët që i dëgjoj, në fjalët që dua me i thanë, i prezervoj thëniet, pyetjet, pikëpyetjet, por është një proces shumë më i thellë”, ka deklaruar ai.
Ka treguar se shpesh prej një qeseje veprat shndërrohen në instalacione, vepra me dritë e skulptura të mëdha.
Të vetmet gjëra që vazhdojnë të jenë të njëjta janë qesja dhe bollëku i tyre nëpër rrugët e Prishtinës.
“Ka qenë e pashmangshme konfrontimi im me qeset pasi që janë çdokund, në çdo stinë, në çdo rrugicë, çdo hyrje të banesave, në makinë, gjithkah. I kemi edhe në markete, nëse shkon një limon me e ble qesen e limonit ta vendosin në një qese tjetër”.
Sipas tij, është absurde mosqasja në informata edhe neglizhenca që po i shkaktohet ambientit ku po jetojmë.
Qeset nga Selmani shihen si element për t’i kujtuar gjërat përgjithmonë, e veprat e realizuara në to si një udhëtim drejt njohjeve të reja.
“Kam pasur shumë probleme në shkollë të artit që ta trajtoj prapavijën e ndoshta qeset e plastikës kanë qenë një prapavijë e gatshme pasi që kanë shumë ngjyrë. Ka ardhur më shumë si diçka e pashmangshme”, ka thënë ai.
Edhe
Driton Selmani: Koha është konstruksion i imagjinatës sonë
Selmani tregon se çdo ditë i ka injoruar qeset, derisa një ditë ka menduar çka nëse qesja bëhet një antiart, ku përdoret diçka banale, ose shfrytëzohet si mjet për të prezantuar një punë.
Artisti 34-vjeçar, që vepron në Prishtinë, ka thënë se në njëfarë forme qeset e plastikës janë edhe metaforë e kohës sonë.
Ka shtuar se është një lloj injorance shumë e madhe mbi jetëgjatësinë e njerëzve në këtë vend. “Ne po jetojmë më pak sesa produkti që po e prodhojmë e që është shumë vështirë të riciklohet. ‘A mundet pesha e historisë me qenë e prezervuar dhe e prezantuar përmes një qeseje?’ Unë ende besoj që po”, ka thënë ai.
Sipas tij, të gjithë – përfshirë edhe artistët – duhet të jenë më të vetëdijshëm mbi riciklimin, jo vetëm të materialeve, por edhe ngjarjeve e tematikave që u kthehen.
“Nuk po mbërrijmë me e përtypë atë që po e prodhojmë, kjo është e tmerrshme dhe mendoj së është urgjente për të vepruar”.
Sipas tij, mbledhja e qeseve nga ana e tij është shumë e vogël.
Edhe
“Muri...” për ndërgjegjësim në raport me natyrën
“Po çka ka ndodh është që mami i jem i mbledh për mua, shokët e mi i mbledhin dhe m’i japin, kam qese që me kanë ardhur prej New York-ut, Londrës. Ndoshta është numër shumë i vogël, po besoj që ka thelb të mirë me u shndërrua në diçka më të madhe. Të paktën me u pastrua, të paktën mos me i gjuajt më”, ka thënë Selmani që deri tani ka rreth 500 vepra të realizuara në qese të plastike.
Selmani u jep jetë qeseve të rëndomta të plastikës duke i transformuar ato në vepra arti, brenda të cilave thuren humori, ironia e kritika.