Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

Art Lokaj dhe “Killin’ Quintet” bashkohen në “Use You”

Tradita është që mbrëmjet e së shtunës të mblidhen familjarë e miq.

Kryeqyteti vazhdon ta dëshmojë ruajtjen e daljeve në të shtunat.

E shtuna e parë e shkurtit në “Dit’ e Nat’” ka nisur ndryshe. Art Lokaj, shoqëruar nga Nesim Maxhuni, Ilir Bajri, Kejdi Barbullushi dhe Arian Randobrava, qenë kryefjala e mbrëmjes. “Use You”, albumi i tij i parë, ishte ai që e futi publikun në një rrugëtim muzikor me ngjyra e tema të ndryshme.

Solisti i mbrëmjes, që e bëri këtë bashkim të emrave të dashur për audiencën, pos të tjerash, qe edhe vetë i lumtur me këtë formacion.

“Çdo natë është ndryshe. Njerëzit janë ndryshe, lokalet, bendi, qytetet. Më janë bërë 16 vjet që jam pjesë e mbrëmjeve ‘live’ dhe kurrë nuk më bëhet bajat. Por, sonte është goxha interesant, sepse këngët e mia nuk i kam luajtur qe ndoshta 6 muaj, për shkak se zakonisht i luaj me bend të madh me 10 veta. Tash e kemi bërë një formacion të vogël, kemi zbritje 50 për qind. Sot jemi 5 veta”, tha Lokaj.

Pos në Prishtinë, që është shtëpia e tij, ai performon edhe jashtë saj shumë shpesh. Miqësi të tilla tregoi se nuk ka vetëm me publikun e vendit të tij, por edhe me ata jashtë kufijve.

Ka një publik, të cilin ai e dallon dhe i cili i fal shumë entuziazëm.

“Shkodrën e kam shumë favorite. Në një lokal ku luaj ka shumë njerëz që e duan muzikën ‘live’. Prej këngës së parë janë shumë mbështetës. Normal edhe në Tiranë. Kështu që në Shkodër deri tash, prej të gjitha performancave nëpër lokale, ka publik goxha të mirë”.

Por, përderisa Lokaj e “dashuron” Shkodrën dhe publikun e saj, shkodrani që ishte pjesë e bendit flet me të njëjtën dashuri për publikun prishtinas.

“Prishtina është më e mira në botë. Më pret si më e mira në botë. Vij shumë shpesh dhe përherë e kam pasur pritjen e mirë. Të gjithë i kam shokë, vëllezër dhe jam ftuar goxha herë të bëj muzikë në ‘Dit’ e Nat’’ dhe në vende të ndryshme. Kam luajtur në Gjakovë e Gjilan dhe përherë ka qenë eksperiencë e bukur”, deklaroi Kejdi Barbullushi.

Ai shpesh bëhet pjesë e formacioneve të huaja me kitarën e tij duke performuar në vende të ndryshme. Pavarësisht kësaj, duket se mbi të gjitha kënaqësinë e gjen në bendet shqiptare dhe pranë artistëve me të cilët pos kolegë i ka edhe miq.

“Është kënaqësi e madhe, sepse me Artin kemi një kimi shumë të mirë. E kemi qysh nga hera e parë që kemi luajtur, sepse kur luhet me dy kitara përnjëherë sjell një super ‘clash’. Kështu që me Artin e kemi një superkimi dhe është gjithmonë kënaqësi t’i interpretoj këngët e tij”.

Mbrëmjet e tilla kushtuar muzikës, pranë njerëzve që të shtunat mbrëma i kanë për kënaqësi, nuk janë të rralla për Art Lokajn. Shpeshtësia nuk i ka bërë të mos jenë të veçanta secila prej tyre.

Albumi i tij “Use You”, qe kryefjala e mbrëmjes, me 8 këngë, për realizimin e të cilave punën më të madhe e ka bërë vetë ai.

Artikuj të ngjashëm