EXPRESS

“80-vjetori i Lidhjes së Dytë të Prizrenit” me imazhet e idealistëve

“80-vjetori i Lidhjes së Dytë të Prizrenit” mban emrin ekspozita e cila u organizua për nder të kësaj ngjarjeje që zë vend të rëndësishëm në kalendarin historik të kombit shqiptar. Fillimisht në qytetin e vjetër të Prizrenit e më pas edhe në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ekspozita me fotografitë e 80 veprimtarëve të kësaj ngjarjeje dhe artikuj nga shtypi i asaj kohe heq pluhurin mbi përpjekjet e atyre figurave historike dhe idealit të tyre. Autorët e ekspozitës me organizimin e shoqatës së gruas “Feminae” kanë vënë theksin te rëndësia e angazhimit të këtyre atdhedashësve për çlirimin e trojeve shqiptare.

Nexhat Çoçaj, anëtar i Këshillit Organizativ njëherësh hulumtues, ka përkujtuar se veprimtaria e këtij brezi të atdhetarëve ka frymëzuar gjenerata të tëra. Ka thënë se ekspozita vjen si rezultat i një angazhimi të madh dhe përkushtimi me qëllim që të paraqitet tërë sakrifica e pjesëmarrësve në Lidhjen e Dytë të Prizrenit.

“Pas një pune të palodhshme muaj me radhë të anëtarëve dhe Këshillit Organizativ të kësaj ekspozite, sot për të dytën herë në Institutin Albanologjik, me rastin e 80-vjetorit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Kemi arritur që me fotografi t’i paraqesim në këtë ekspozitë 80 veprimtarë nga e gjithë hapësira e tokave të liruara, përfshirë këtu Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, Pazarin e Ri, dhe të gjitha viset të cilat nuk patën fatin që të jenë me Shqipërinë administrative”.

Historiani dhe njëri prej autorëve të kësaj ekspozite, Parim Kosova, ka theksuar se për këtë ngjarje është hera e parë qe është punuar diçka e tillë. Ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët duke shpresuar që iniciativa të tilla të mos ndalen.

“Iniciativën e Nexhat Çoçajt që të përgatitet një ekspozitë me fotografi të veprimtarëve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe me artikujt e shtypit të asaj kohe për nder të 80-vjetorit të këtij evenimenti, ne bashkautorët e kësaj ekspozite e përkrahëm nëpërmjet shoqatës ‘Feminae’ dhe me mbështetjen e Kuvendit Komunal të Prizrenit”.

Në ekspozitën e paraqitur në hapësirën e Institutit Albanologjik të Prishtinës, të pranishëm kanë qenë edhe familjarët e veprimtarëve të Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

Vediha Limani, njëra nga vajzat e veprimtarit Xhemal Limani, ka thënë se është obligim i secilit që të angazhohet në pasurimin e ekspozitës.

“Ky komision ka hedhur dritë mbi këtë ngjarje, që ka bërë të popullarizohet e të kuptojnë edhe trashëgimtarët e ardhshëm rëndësinë e edukatës familjare nga kanë dalë njerëz të nderuar nga populli. Këto janë gjeste që duhet të kultivohen me këmbëngulje dhe ne të gjithë duhet të angazhohemi që të pasurojmë këtë material”.

Lidhjen e Dytë të Prizrenit drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, e ka vlerësuar si dëshminë më të mirë të pavdekësisë së programit kombëtar të shqiptarëve.

“Sikundër pararendësja e saj Lidhja Shqiptare e Prizrenit, që zuri fill më 1878 në një kontekst të tronditjes së madhe që po e përjetonte Perandoria Osmane, edhe Lidhja e Dytë e Prizrenit vinte në një kohë trazirash globale, në një fazë të zhvillimit të Luftës së Dytë Botërore ku po vendoseshin fatet e kombeve”.

80 vjet më parë Kuvendi u mblodh në Prizren, nga data 16 deri më 20 shtator të vitit 1943. Në të morën pjesë 45 delegatë të zgjedhur nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare. Kuvendi vendosi formimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, organizatë politike kombëtare, e cila do të angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike.