EXPRESS

Dyshja me kitarë e flaut zbërthen traditën spanjolle

Dyshja Nina Shala në flaut dhe Drilon Çoçaj në kitarë kanë thurur tingujt për këngët spanjolle tradicionale. Kombinimi jo fort praktik i dy instrumenteve në skenën vendore ka sjellë natyrën e muzikës flamengo.

Pozicioni i kitarës është i padiskutueshëm si instrument tradicional i muzikës spanjolle. Flauti i ka zëvendësuar vargjet e këngës. Vijën melodike në secilën pjesë e ka bërë më të theksuar.

Në qendrën kulturore “Barabar” në kryeqytet, tingujt romantikë erdhën me harmoninë e ovacioneve të të dy veglave muzikore. Po aq qenë edhe kontrastet që i distancojnë ato në ngjyrën e natyrën e tingujve.

Një fragment nga opusi i vallëzimeve spanjolle ka shpërfaqur universin muzikor të kompozitorëve të mëdhenj. Por pjesët e luajtura nga dyshja kanë qenë versione unike.

Shtatë këngë popullore spanjolle të kompozitorit Manuel de Falla kanë zbërthyer tingujt kontrovers pasi vijnë nga vende të ndryshme të Spanjës.

Kitaristi Drilon Çoçaj ka thënë se kitara e ka natyrshmërinë dhe se stili i instrumentit e nxjerr me krenari flamengon si kulturë tradicionale e këtij vendi.

“Është muzikë e bukur, është muzikë popullore tradicionale, por në anën tjetër kitara është instrument shumë popullor, sikur tek ne çfitelia. Kompozitorët zakonisht shkruajnë shumë vepra për kitarë. Kjo është aranzhman për kitarë dhe flautë por mund të luhen edhe në shumë versione të tjera. Janë shtatë këngë të ndryshme që këndohen për zë, por kësaj here ne e luajtëm me kitarë dhe me flautë. Kitarja është ajo tradicionalja që e ka prejardhjen nga Spanja. Ajo është natyra e instrumentit tonë dhe gjithmonë del bukur me një instrument tjetër si flauta, violina, zëri e të tjera”.

Dyshja ka shkuar përtej literaturës së shkruar për kitarë e flaut. Ka përshtatur veprat origjinale spanjolle duke i aranzhuar për dy instrumentet.

“Ne po mundohemi sepse repertori i kitarës me instrumentet tjera është i harxhuar, i konsumuar. U bë pak bozë si themi. Për atë arsye jemi munduar të bëjmë aranzhime të reja që t’i sjellim publikut risi. Janë vështirësitë e veta por gjithmonë duke pasur parasysh natyrën e instrumentit tjetër dhe limitin”, ka thënë Çoçaj.

Këngët e krijuara qysh në fillet e shekullit të kaluar u kushtohen dashurisë nëpër etapa të ndryshme. Dyshja e ka bërë të qartë kalimin nga kënga në këngë duke lidhur një pas një këngët harmonike e ato melankolike.

Flautistja Nina Shala e ka konsideruar kombinimin e dy instrumenteve si tejet të bukur në tingull.

“Ka shumë duo për flatë dhe kitarë, ka edhe sonata të mëdha që janë të shkruara nga kompozitorët e mëdhenj. Si duo është shumë kombinim i bukur”.

Ata synojnë të vazhdojnë rrugëtimin me të njëjtin repertor edhe jashtë vendit.

“Ne për herë të parë kemi marrë pjesë në DAM fest, më pas në Lezhë kemi mbajtur një koncert. Ky është i treti që e kemi bashkë dhe mendojmë të vazhdojmë tutje edhe jashtë Kosovës”.

Muzikën flamengo në stil unik dyshja do të vazhdojë ta interpretojë më tej duke e bërë të jehojë edhe në kulturat jashtë vendit.