EXPRESS

“Artistët e së nesërmes” shpërblen peizazhin e së ardhmes

“Artistët e së nesërmes” si ngjarje është pasqyrë e krijimtarisë së artistëve të rinj. Në esencë është edhe motivi e njohja me skenën ndërkombëtare. Ky edhe është shpërblimi për çmimin e parë - rezidenca artistike dymujore në New York. Të shtunën mbrëma fituese u zgjodh Renea Begolli për veprën “Skies extended” (Qiej të zgjatur). Pozicioni teknologjik është parësor në vepër duke mos përcaktuar kufij se sa larg mund të shkojë ajo.

Kishin qenë gjithsej 11 artistë të kualifikuar për garë. Më 10 nëntor u hap ekspozita e tre finalistëve. Bashkë me Begollin u kualifikuan edhe Shkamb Jaka e Arbesa Musa.

Juria e këtij edicioni ka qenë e përbërë nga artistja gjermane Julieta Aranda, artistja serbe Miljana Dungjerin, Agrina Vllasaliu nga Kosova, që është edhe fituese e çmimit “Artistët e së nesërmes 2022”, kuratori dhe shkrimtari turk Alper Turan, si dhe artisti kosovar Driton Selmani.

Vepra e Begollit duket tejet estetike, por edhe mjaft domethënëse. Piktura shumëngjyrëshe paraqet qartë bukuritë e peizazhit. Një peizazh jo i zakonshëm që e bën të dukshme, të padukshmen e qiellit, njerëzit poshtë të cilit nuk janë në dijeni se çfarë ngjan me të.

Autorja e veprës ka thënë se pikënisja e veprës ka qenë pikura, derisa instalacionin me tekstil e ka cilësuar si zgjatim të saj.

“Është ndërtuar prej dy elementeve: prej pikturës dhe prej instalimit me tekstil. Ideja e punës fillimisht është ndërtuar përmes pikturës që është punuar në fillim të këtij viti dhe ka të bëjë më shumë me peizazhet e së ardhmes. Duke e menduar pikturën specifikisht, sepse kam dashur që vepra ime të ndërtohet duke filluar prej kësaj pikture”.

Vepra ngre pyetje për qiellin e së ardhmes. Se si do të jenë retë në të ardhmen.

“Kam filluar të hulumtoj më shumë rreth saj dhe idesë së ‘cloud seeding’ që është një teknologji që përdoret në shumë vende të botës për t’i stimuluar retë për të rënë shi. Për mua kjo ka qenë diçka shumë interesante, që ka provokuar shumë ide të mia. Më ka krijuar shumë pyetje mua si artiste se si do të ndryshojnë qiejt në të ardhmen, deri ku do të shkojë kontrolli i njerëzve në qiej”.

Në qershorin e vitit në ardhje ajo do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me qëllim që të përjetojë dinamikën e skenës artistike të New Yorkut.

Albert Heta, drejtor i qendrës për art bashkëkohor “Stacion”, ka thënë se çdoherë e më shumë ka rritje të kualitetit të veprave artistike tek artistët e gjeneratës së re.

“Për ne si institucion, jo veç tash, por artistët e rinj çdoherë kanë pasur një vlug më të madh të punës, sidomos menjëherë si e kryejnë fakultetin, ende është një hapësirë dhe një motivim shtesë. Çdoherë e më tepër ka rritje të kualitetit, edhe pse në shumë raste ndikimi i njëfarë pritshmërie të veprave ndikon edhe në artistë të rinj. Domethënë cilat janë temat që zgjedhën, produksioni është çdoherë më i mirë, por në anën tjetër ka shumë hapësirë për investim”.

Me Begollin, në finale ishin artistët Shkamb Jaka dhe Arbesa Musa. Jaka ka garuar me instalacionin e tij pamor e zanor që e lidh ishullin e tij artificial me planetin Tokë. Artistja Musa e ka trajtuar çështjen e identitetit kombëtar nëpërmjet instalacionit me tulla. Ka gërshetuar edhe vitet ’90 duke sjellë filmime nga viti 1996.

Anëtari i jurisë vlerësuese të garës “Artistët e së nesërmes”, artisti Driton Selmani, ka thënë se vlerësimi nuk ka qenë i lehtë për shkak të garës e për shkak se i takon së njëjtës skenë artistike me garuesit.

“Për mua, edhe vitin e kaluar edhe sivjet ka qenë eksperiencë shumë e rëndësishme, sepse i mësoj disa dukuri që ndoshta edhe vet nuk i kam ditur si artist. I takoj një gjenerate të artistëve që kam fituar tepër pak çmime, por nuk do të thotë se çmimet në fund të fundit janë gjithçka, aq më pak që klubi i boksit sonte e prezanton një ekspozitë të kuruar shumë mirë, kompakte dhe me shumë potencial”.

Ekspozita e tre finalistëve do të qëndrojë e hapur deri më 9 dhjetor në qendrën e artit bashkëkohor “Stacion” në kryeqytet.