EXPRESS

Bateristi Ikiz në ritëm e improvizim unik

Në skenën modeste të kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, interpretimi i bateristit dhe jo vetëm, Robert Mehmet Sinan Ikiz, ka qenë madhështor. Ka qenë personazhi kryesor në kapitullin e fundit të edicionit të katërt të festivalit “Peja Jazz”.

Me artin e tingullit, artisti turk “Ikiz” e ka përdorur edhe muzikën elektronike për ta zhytur publikun në udhëtimin imagjinar edhe në shtetet e largëta. Ka magjepsur me shkathtësinë e tij në instrumentin që e zotëron kaherë. “Peja Jazzit” në mbyllje i ka lënë shijen unike deri në edicionin e radhës me muzikën e tij që vjen si frymë bashkëkohore e zhanrit.

Është muzikë tejet unike jo veç për nga meloditë. Bateristi krijon aty për aty. Me stil luan e i mikson tingujt. Loja e tij nis thjesht. Fillimisht luan në instrumente, ruan tingujt dhe i vendos në një lloj baze, që janë meloditë e muzikës elektronike. Nëpër to vijnë edhe kulturat e largëta me interpretim minimal në vokal. Më pas u përkushtohet krejtësisht baterive dhe perkusioneve.

Krijimi i muzikës aty për aty, servimi, vënia e efekteve është procesi që përsëritet disa herë në setin 60-minutësh. Ritmi i jazzit vjen në formë më bashkëkohore.

Kinemaja si hapësirë interpretuese ka qenë e re për “Ikiz”, muzika e të cilit zakonisht jehon në klube të natës.

“Është një hapësirë shumë interesante. Të them të drejtën isha paksa nervoz të interpretoja këtu, është skenë dhe sallë e madhe ku të gjithë ulen, ngase zakonisht në vendet ku unë interpretoj janë klube të natës ku njerëzit vallëzojnë. Është disi e veçantë kur njerëzit e shijojnë performancën duke qenë ulur. Ishte shumë kënaqësi, mund ta ndieja energjinë e publikut”.

Muzikën e tij që vjen në formën e një stili bashkëkohor të jazzit e ka vlerësuar shprehje të lirë, por edhe muzikë të komplikuar.

“Nuk mund t’ia vë emër kësaj muzike. Ka shumë zhanre dhe nënzhanre sot. E gjithë muzika është origjinale. E bëj këtë muzikë kudo, nganjëherë në rrugë, normalisht nisem nga tingujt që kam përgatitur paraprakisht, luaj deri në dy orë e gjysmë derisa njerëzit vallëzojnë. Është një set më ndryshe nga ky sonte. Ka shumë liri, por është edhe shumë e komplikuar në tërësi”.

Sivjet me edicionin e katërt “Peja Jazz” ka sjellë larmi stilesh e ngjyrash të jazzit. Festivali u hap me këngëtaren Vjollca Robelli-Mripa, e njohur artistikisht si Ajo.

Nata e dytë ka sjellë në skenë dyshen iraniano-kanadeze, Golnar dhe Mahan, multiinstrumentistë që nëpërmjet performancave përçojnë shkrirjen e tyre unike të ndikimeve kulturore. Në natën e tretë ritmet e jazzit i bënë një Sheki Hoxha, Donika Dugolli, Arian Randobrava, Driton Bejta dhe Tomor Shkoza.

Organizatori i festivalit “Peja Jazz”, Vullnet Sanaja, ka thënë se këtë vit ka pasur diversitet të stileve.

“Çdo performancë ka qenë e veçantë në mënyrën e vet. Kemi qenë goxha të kënaqur me çfarë ka ndodhur gjatë këtij edicioni edhe me pjesëmarrjen e publikut, përderisa e kemi vërejtur se ‘Peja Jazz’ veçse ka marrë njëfarë rëndësie në qytetin e Pejës, por edhe më tej. Këto janë katër edicione të mira për të pasur një të ardhme të ndritur si festival i muzikës jazz”.

Koncerti i fundit, sipas tij, ka qenë po aq i veçantë.

“Çdo performancë ka qenë e veçantë në mënyrën e vet. Kemi qenë goxha të kënaqur me çfarë ka ndodhur gjatë këtij edicioni, edhe me pjesëmarrjen e publikut, përderisa e kemi vërejtur se ‘Peja Jazz’ veçse ka marrë njëfarë rëndësie në qytetin e Pejës, por edhe më tej. Këto janë katër edicione të mira për të pasur një të ardhme të ndritur si festival i muzikës jazz”.

Me interpretimin e Robert Mehmet Sinan Ikiz “Peja Jazz” deri në edicionin e radhës e ka lënë publikun me shijen e jazzit të kombinuar me ritmin bashkëkohor të baterive e muzikës elektronike.