Në sallën e një hoteli në qendër të Prishtinës, koncerti i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Klarinetës në Kosovë solli atmosferë mondane për të gjithë entuziastët e muzikës klasike, e në veçanti për ata që e pëlqejnë tingullin e klarinetës.
Koncerti i Giovanni Punzit, një figurë e shquar në arenën ndërkombëtare, nën shoqërimin e pianistes së mirënjohur Lirika Pula, shënoi këtë mbrëmje të veçantë. Klarineta, prej zotërimit të Punzit, shndërrohet në instrument kompleks. Ndërkaq Lirika Pula me virtuozitetin e saj në piano ka qenë shembulli i përkryer i një bashkëveprimi krejt natyral midis pianos e klarinetës.
Programi nisi me “Sonatën nr.1” për klarinetë nga kompozitori gjerman Johannes Berhams, vepër kjo e dedikuar për Richard Mühlfeldin, i cili ka qenë inspirim për kompozitorin që t’i rikthehej sërish kompozimit pas pensionimit të tij. Ka qenë një hapje maratonike prej 20 minutash.
Pjesa e dytë e koncertit të shtunën mbrëma qe e rezervuar si homazh për Giuseppe Verdin, nisur nga fakti se vetë Punzi vjen nga Italia. “Il Trovatore” e Luigi Bassit me transkriptim për klarinetë përfshin variacione dhe eksplorime të motiveve nga opera “Il Trovatore” e Verdit, vepër kjo e cila shërben si një ndërthurje e mrekullueshme mes trashëgimisë së Verdit dhe interpretimit artistik të Bassit.
Krejt në fund të koncertit, atmosfera e magjisë muzikore vazhdoi me interpretimin përshëndetës të “Three Old Viennese Dances” nga Fritz Kreisler e shquar për sharmin dhe elegancën e saj si vepër.
Violinistja Sihana Badivuku, e cila ishte e pranishme në koncert, e vlerësoi lart performancën e solistëve, duke theksuar nevojën e vazhdueshme për një sallë adekuate në Prishtinë për performanca të muzikës klasike.
“Ishte një interpretim kolosal, virtuozitet dhe lehtësi, një solist që e zotëronte me mjeshtri jo vetëm instrumentin por edhe krejt parametrat e frazimit muzikor, kishte muzikalitet, ishte një koncepcion shumë i thellë studioz dhe me të vërtetë dëshmoi që ka bërë zgjedhjen e duhur të klarinetistit dhe natyrisht pianistes koleges sime Lirika Pula, e cila me të vërtetë me aq profesionalizëm, performuan së bashku veprën kolosale, Sonatën e Brahms. [...]sonte ishte hendikep për pianisten që luajti këtu, nuk është në nivel. Duhet definitivisht para çdo koncerti, në komunitetin artistik të muzikës klasike po ankohemi që kërkojmë sallë. Është me të vërtetë e udhës që të kemi një sallë të përafërt me sallat e fqinjëve si Filharmonia e Maqedonise për shembull ose shtetet e tjera përreth”.
Pavarësisht sallës së papërshtatshme për të performuar në piano, Lirika Pula u shpreh se ndihej mirë që ndau skenën me njërin ndër klarinetistët më të mirë në botë.
“Duke fillu nga ftesa e organizatorëve të festivalit, ishte gjithcka shumë e mirëpritur për mua si pianiste, aq ma tepër me luajtë me një instrumentist si Giovani si një ndër më të mirët që e ka bota, gjithçka, përfshirë dhe provat, edhe pse ishte kohë e shkurtër ishte shumë kënaqësi për mua dhe besoj do të jetë në memorien time shumë gjatë.”
Ndërkaq vetë Punzi ka komentuar kujdesin që i kishte kushtuar përzgjedhjes së programit duke tentuar ta bënte atë sa më të lehtë për publikun në Prishtinë që, sipas tij, e priti mirë.
“Jam përpjekur të gjej një program të balancuar, jo shumë të vështirë për t'u dëgjuar dhe jo shumë të rëndë, kështu që vendosa për Brahmsin, një nga veprat më të rëndësishme për klarinetë, pastaj dëshirova të bëja një homazh për Verdin pasi vij vetë nga Italia, dhe më pas përfunduam me Fritz, një transkriptim për violinë dhe piano. Kjo ishte hera e parë që e interpretoja në një koncert, dhe ndoshta është një mënyrë e bukur për të përfunduar koncertin me lehtësinë e tij”.
Ai foli dhe për përshtypjet e tij në Kosovë duke shtuar se është ndier shumë i mirëpritur.
“U mirëprita nga stafi i festivalit, njerëzit janë të mirë, studentët ishin të çiltër, dhe do ta kujtoj Kosovën për thjeshtësinë dhe qetësinë e saj si dhe për ekipin shumë të mirë dhe respektin që mora këtu. Një përvojë e mirë dhe pozitive në përgjithësi”.
Përveç koncertit, Giovanni Punzi për talentet e reja të klarinetës në Kosovë në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Klarinetës ka mbajtur edhe disa mesterklasa.
I kënaqur për këtë është shprehur Blerim Emerllahu nga Festivali Ndërkombëtar i Klarinetës në Kosovë.
“Jemi të kënaqur që tanimë veçse po bëhet traditë që në kuadër të festivalit të presim artistë shumë të mirë nga bota, kemi sjellë emra të mëdhenj nga bota e klarinetës dhe është një eksperiencë e jashtëzakonshme për ne, pasi që kemi bërë një gjithëpërfshirje me këtë festival, sepse çdo artist që vjen zhvillon masterklasë, takohet me studentë, shkëmbehen eksperienca. Ne besoj që si vend e kemi shumë të nevojshme që të kemi konsulta ose rekomandime nga artistë të mëdhenj si Giovani Punzi etj”.
Koncerti i tretë i Festivalit, i cili do të vijë më 13 janar të vitit që vjen, sjell Corrado Giuffredin, një klarinetist me famë botërore, në përcjellje nga pianisti virtuoz Federico Nicoletta.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.