Adelina Ismaili është e njohur për ekspresivitetin e saj dhe instrumentalizimin e artit, në këtë rast përmes muzikës si medium me të cilin ajo ka ngritur çështje rreth të drejtave të njeriut. Në kuadër të “Prishtina Music Conference”, Ismaili u paraqit në një diskutim të pazakontë të cilin publiku nuk është mësuar ta dëgjojë më parë, duke ofruar kështu një atmosferë intime mes të pranishmëve dhe asaj.
Gjatë këtij diskutimi, Ismaili ndau me publikun e pranishëm përvojat e saj dhe rrugën nëpër të cilën ka kaluar ajo si artiste në Kosovë duke e filluar kështu diskutimin e drejtuar nga gazetarja Donika Hyseni me një video- kolazh i cili paraqiste pikat shënjuese në karrierën e Ismailit. Nga paraqitjet e saj të para si fëmijë në festivalin “Akordet e Kosovës” me “Pink Panter”, e “Mos ma gjuaj diellin me gurë”, pastaj me këngët si “Amaneti”, “Sajzeza”, “Largohu ti nga frajeri im” e të tjera të cilat shërbejnë si pasqyrë e rritjes artistike të saj.
Në një kohë shumë të vrazhdë për Kosovën, kur vendi ishte i izoluar, Ismaili ishte njëfarë bote më vete nëpërmjet mënyrës se si e përdorte artin.
“Shumë skenografi i kam punuar vetë, sepse nuk më ka kuptuar askush. Kam ngjitë dhe dërrasa në skena vetë, mirëpo sa i përket muzikës kemi qenë mire sepse skena kosovare ka qenë e përparuar nga etja për perëndimin dhe përqafimin e zhanreve të reja”.
Ismaili ndau me publikun dhe reflektime të saj të vona, nga të cilat ajo e quan karrierën e saj dhe si një luftë jo dhe aq të thjeshtë.
“Në fillet e mia kam qenë në luftë me pushtetin okupues të kohës, pastaj në luftë me patriarkatin, në luftë për të drejtat e grave, për të drejtat e LGBT, kam luftuar dhe me sulmet që më bëheshin nga qarqet politike e fetare nga fakti se kam qenë gjithmonë kritikuese me artin tim”.
Gjatë këtij diskutimi, Ismaili ka treguar dhe për gjendjen e muzikës në Kosovë tani, duke vlerësuar se mungesa e origjinalitetit është shumë prezente dhe performuesit i ka cilësuar edhe si viktima të globalizmit.
Ismaili, ndryshe e njohur si “Diva”, ndau me të pranishmit edhe arsyen e pauzës së saj disavjeçare. Ajo tregoi se Uliksi (i biri i saj) ka qenë arsyeja.
“Gjithmonë kam dëgjuar këngëtarët e famshme duke thënë se sa shumë ju mungojnë fëmijët e tyre përgjatë turneve, dhe unë jam betuar qe nuk kam me lënë asgjë prej fëmijërisë të djalit tim me më ikë për shkak të karrierës”.
Diskutimi u mbyll me disa pyetje të publikut, të cilat qenë mjaft të larmishme, prej të cilave ajo u vlerësua si nga paraqitjet skenike, nga këngët, shtyrja e agjendave mbi të drejtat e njeriut, thyerja e tabuve e deri te fakti se përbën një figurë të rrallë e cila pëlqehet nga çdo gjeneratë.
“Është apoteozë e karrierës së secilit një diskutim i tillë. Shpresoj që puna ime ka pasur ndikim, shpresoj që kam arritur t’ia zbukuroj jetën dikujt”.
Tesa Kabashi, aktiviste e pranishme në publik, u shpreh e kënaqur se kishte mundësi t’ia bënte disa pyetje asaj si një mundësi e rrallë.
“Ajo është një figurë në pop kulturë, e cila ka reflektu ideologji të cilat i ndaj edhe unë tash, edhe për influencat muzikore të cilat në atë kohë nuk kanë qenë të zakonshme, e vërejta gjithashtu një emocion të përgjithshëm në sallë”.
Muzika vazhdon të jetë armë e fuqishme e rezistencës dhe Adelina Ismaili me karrierën e saj është dëshmia e gjallë që muzika është një gjuhë e përbashkët që nuk njeh kufij dhe që bashkon lehtazi njerëzit në rrugën për ndryshim.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.