EXPRESS

“NOmade Biennale” më art sjell tragjeditë latine

“Subversive Parallels” është një botë arti më vete. Në dy dhoma arti në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë jehojnë kujtime, histori, protesta e revolta ndaj dhunës. Ekspozita e “NOmade Biennale” ka një lloj tendence shërimi a njohjeje mes shteteve. Veçmas kur shumë prej veprave, e vetë ngjarja e organizuar ka burimin në Ekuador.

Diversiteti mund të përkufizohet masiv kur merret parasysh kultura mes shteteve, por fenomenet duken globale. Kontrasti i shoqërisë është i vogël në raport me vendin, sikurse edhe me konceptet artistike. Me vepra arti, ekspozita i tejkalon kufijtë dhe dallimet etnike.

Për edicionin e nëntë të “NOmade Biennale” nga Ekuadori, Prishtina ka qenë vendi i prezantimit të artit latin dhe jo vetëm. Gjurmët e artit jo veç në materiale, por edhe në muret e Galerisë së Fakultetit të Arteve janë të stampuara.

Tejet estetike, por edhe me mesazhe përbrenda është vepra “Mourning – Morning” e kolumbianit Victor Muñoz. Nëse merren për bazë materialet e përdorura, letrat e zhytura në kafe, çon mendjen në një mëngjes zie kur merret parasysh edhe dedikimi i veprës. Autori bën të ditur se vepra është homazh për udhëheqësit shoqërorë që vriten çdo vit në Kolumbi si pasojë e konflikteve të dhunshme. Kafeja që ngjyros emrat e 160 të vrarëve vjen si simbol i mbajtjes zgjuar të kujtimit për ta.

Midis artit bashkëkohor të huaj, vend zë edhe ai shqiptar. Hijet që krijojnë devijimet e ndërhyrjes në tullat e njoma bien në sy të parat. Ngjajnë në dëshminë e mbetjes së shenjave dhe pamundësisë për t’i ndryshuar.

Skulptura e artistit Guri Çavdarbasha e lë shikuesin të lirë ta perceptojë veprën që është pjesë e ciklit të veprave të tij “Bllok portret”.

“Një prej këtij cikli është përzgjedhur për ekspozitën ‘Subversive Parallels’ e cila mbahet në Galerinë e Fakultetit të Arteve. Si proces ka marrë kohë diku rreth një muaj, sepse vetë materia e terakotës i ka proceset e veta, përveç materializimi, intervenimi në blloqe, në materiale të gatshme, tharja, pjekja pastaj, lidhja mes pjesëve, ka marrë rreth një muaj si instalacion”.

“Black Book” e Hatixhe Ibrahimit vjen si një instalacion i përcjelljes së vijave të rrëfimit me anë të materialit ku shprehet, ndërsa në “The had” e Monika Dukajt janë kokat e tre njerëzve, që paraqiten në karaktere të ndryshme dhe janë pikërisht ato që i dallojnë.

Një instalacion gjigant ngjan në rrjetë abstrakte apo edhe në një katrahurë si degët e pemës, por tejet estetike në pamje. Vjen tejet kontrast materiali i tekstilit me ngjyrë të zezë në muret e bardha të galerisë. Përbrenda kanë mesazhet e fshehta që flasin.

Nëpër to janë vendosur kode skanuese si mesazhe të sakta për publikun. Lajme e pamje hapen dhe njoftojnë për vrasjen e 18 personave, kryesisht të moshave të reja, për të shpërndarë turmën e protestuesve që kërkonin zgjedhje të parakohshme në janar të vitit të kaluar.

Organizatori i “NOmade Biennale”, profesori Ismet Jonuzi, ka thënë se ekspozita nuk ka karakter politik, porse vetë paraqitje e artistëve do të thotë se janë thyer barrierat politike të vendeve nëpërmjet artit.

“Qëllimi i tyre ka qenë të krijojnë ura ndërlidhëse dhe të gjithë të ofrojnë në një koncept të vetëm diversitetet kulturore mes popujve të ndryshëm, pavarësisht se në disa shtete ndikon politika të mos na pranojnë. Unë mendoj se arti nuk njeh kufi dhe me këtë koncept ata i kanë thyer edhe barrierat e tyre shtetërore. Kjo mund të jetë edhe një apel për shtetet e tyre”.

Kuratori i shumë ngjarjeve në skenën artistike në vend dhe jo vetëm, Zeni Ballazhi, ka thënë se ekspozita gërsheton disa lloj mediumesh bashkëkohore.

“Qëllimi i reflektimit apo prezantimit të realitetit tonë nëpërmjet veprave të artit është mjaft i rëndësishëm sot. Nuk do të thotë se ne nuk jemi ballafaquar me prezantime të llojit të tillë të veprave të artit pasi është aktual në të gjitha vendet e botës. Kjo lloj gjuhe e barabartë është prezente edhe te ne, duke nisur edhe prej gjeneratave më të hershme”.

Kurator i edicionit të sivjetmë të “NOmade Biennale” ka qenë Fernando Hierro nga Argjentina.

“NOmade Biennale” prezantohet si një kolektiv i shumëfishtë, që nga prodhimi autonom dhe i pavarur gjeneron një sërë reflektimesh mbi sistemet dhe vizualizimet e artit aktual.