Seria e premierave në vende të ndryshme e filmit “Toka brenda meje” nën regji të Fisnik Maxville po vazhdon edhe një vit pas prej kur nisi rrugëtimin kinematografik.
Rrëfimi në film për kthimin në vendlindje, dashurinë e parë e përballjen me të kaluarën e të tashmen do t’i shpaloset publikut anglez këtë të premte.
Festivali i pavarur i filmit “RainDance”, që konsiderohet prej më të mëdhenjve të llojit të tij, është adresa e radhës.
Regjisori i filmit, Fisnik Maxville, ka thënë se të gjitha biletat për filmin veçse janë shitur. Pjesëmarrjen në festivalin anglez e ka vlerësuar të rëndësishme për shkak të cilësisë së filmave që prezantohen në programin e tyre.
“Po shpresoj se filmi do të ketë interes të madh edhe pse me sa kam kuptuar sot në mëngjes se të gjitha biletat janë shitur. Për ne ka qenë nder shumë i madh që filmi programohet të premten në orën 20, që është me të vërtetë një ‘prime time’. Është shumë me rëndësi të marrim pjesë në këtë festival, sepse kanë shumë pak filma dhe që janë jashtëzakonisht të mirë”.
Filmi “Toka brenda meje” në edicionin e sivjetmë të Festivalit garon në kategorinë për Regjisorin më të Mirë, si dhe për çmimin “Discovery Award”.
Është shfaqur premierë gjithandej, ku edhe është shpërblyer me çmime. Sipas Maxville, më i rëndësishmi ka qenë çmimi kryesor në edicionin e 15-të të “Pri Film Fest”, që u mbajt këtë shtator.
“Tash po mbyllet gati një vit që filmi është duke udhëtuar pasi ka pasur premierën në ‘Tallinn’ vitin e kaluar në nëntor, sivjet kemi pasur më të vërtetë disa premiera shumë të bukura, si në Zvicër në disa festivale dhe kemi pasur premierën në Meksikë. Për mua ndoshta më e rëndësishme ka qenë që kemi marrë pjesë në PriFest, ku kemi fituar si Filmi më i Mirë”.
Maxville gjithashtu ka komentuar vendimin për të mos dërguar sivjet një film vendor në “Oscar”. Në listën e aplikimeve ishte edhe filmi “The land within” me regji dhe skenar të Fisnik Maxville.
“Ka qenë me të vërtetë vendim shumë i vështirë për mua dhe jo vetëm personalisht, por për gjithë industrinë ka qenë jokorrekt sepse mendoj se duhet të promovohet më shumë. E di se janë disa ankesa që kuptohet se çfarë ka ndodhur, cilat janë ankesat se pse Kosova nuk ka dërguar film në Oscars. Ka qenë moment shumë i vështirë për mua dhe për industrinë, sepse mendoj se çfarëdo filmi që do të shkonte ta prezantonte Kosovën do të tregonte se jemi aktiv, që kemi filma dhe që po bëjmë filma që po shfaqen në vende ndërkombëtare. Fatkeqësisht ka qenë vendim shumë i vështirë”.
Ngjarja e filmit zhvillohet në vitin 2008, ku nxjerrja e mbetjeve mortore në varrin masiv të një fshati sjell sekrete nga e kaluara.
“The Land Within” pati premierën botërore në “Tallinn Black Nights Film Festival” në nëntor të vitit të kaluar. Aty mori Çmimin e parë për Filmin më të Mirë të Metrazhit të Gjatë.