EXPRESS

“Siparantumi” artëson Kosovën midis koreve botërore

Brohoritjet janë jehonë që kaplojnë gjithë sallën ku u zhvillua gara “European Choir Games – Grand Prix of Nations”. Kryesisht të rinj të shteteve të ndryshme presin me entuziazëm që t’u thirret emri pasi janë me sytë e veshët katër duke pritur vlerësimet e jurisë.

Aty me dhjetëra flamuj në duar janë edhe anëtarët e korit “Siparantum” nga Kosova. Midis 25 vendeve të ndryshme, ata kanë brohoritur duke mbajtur emocionet në pritje të ndarjes së çmimeve. Momenti i thirrjes së emrit “Siparantum Choir” ka qenë festë më vete. Të rinjtë nga qytete të ndryshme të Kosovës kanë marrë vesh se janë laureatë të Medaljes së Artë të garës prestigjioze. Dalja në skenë e dirigjentit Memli Kelmendi për të marrë medaljen e ndarë nga juria profesionale në kategorinë më të lartë të Lojërave, qe moment triumfi.

Përfaqësues nga shtete të ndryshme kanë duartrokitur e uruar Korin nga Kosova. Qyteti suedez i dritave është bërë stacion i radhës ku “Siparantum” ka ndriçuar nëpërmjet muzikës. Ka marrë gjithsej 85.38 pikë, duke dalë i dyti në konkurrencë me dy koret e tjera të të rriturve me të cilët ishte në finale. Ishte përballë dy koreve me shumë traditë: atij norvegjez “Volve Vokal” dhe “Den Akademiska Damkören Linnea” i Suedisë. Kori norvegjez ka dalë i pari me 89.19 pikë.

Kompozitori e dirigjenti Jakub Neske, ka thënë se interpretimi i korit “Siparantum” ishte madhështor dhe në krahasim me koret e tjera ishte krejtësisht ndryshe.

“Ata kanë dhënë një interpretim që është dukur si koncert e jo si pjesëmarrje në gara. Ishte kënaqësi të dëgjoje krejt programin që ishte shumë konsistent. Ishte si një vepër e gjatë. Shihet qartë procesi i mendimit të repertorit. Ishte me të vërtetë shumë emocionale”.

Sipas këtij emri të njohur të muzikës klasike, koristët kosovarë kanë dhënë një prej performancave të pakta që ka prekur shumë.

“U preka emocionalisht jo veç nga kualiteti i zërave e aspekteve teknike, por me të vërtetë kisha emocione dhe mendoj që muzika është emocion. Nëse nuk ka emocione nuk ka më sens. Janë shumë energjikë. Këtë e vlerësoj shumë në kore, besimin dhe energjinë që kanë. Mendoj se kanë një të ardhme fort të ndritshme pasi janë në nivel profesional tash”.

Anëtari tjetër i jurisë, muzikanti Roxor Loops, ka thënë se “Siparantum” ishte në një nivel tejet të mirë. Ka treguar se i ka ranguar lart në vlerësim.

“Ishin disa gjëra që mund të ishin më mirë në anën teknike. Por kur kemi parasysh se kanë qenë në paraqitje për gara, ndoshta kanë qenë pak me emocione e nervozë. Por mendoj se ishin vërtet madhështorë. Kam dëshirë t’i shoh të vazhdojnë ashtu siç janë duke punuar. Kanë shumë potencial dhe duhet të vazhdojnë. Duhet të njihen në krejt botën pasi është një prej top-koreve”.

Me energji jo të vogël ka folur edhe themeluesi e dirigjenti i “Siparantum”, Memli Kelmendi, pas ndarjes së çmimeve. Ka thënë se janë jashtëzakonisht të lumtur pasi janë pjesë e një gare shumë të rëndësishme. “Siparantum”, sipas tij, ka garuar me nivele shumë të larta artistike.

“Koret që kanë qenë bashkë me ne është dashur të kenë kualifikim. Kjo është një dëshmi e fuqishme për punën e përkushtimin e të gjithë anëtarëve të Korit gjatë viteve e veçanërisht muajve të fundit. Sa i përket garës kemi dhënë një energji ndryshe. Edhe nëse do të vinte rasti edhe një herë jam i bindur se me të njëjtin program do të paraqiteshim”.

Ka përmendur se Kosova është një shtet i ri dhe i panjohur për muzikën korale.

“Të jem i sinqertë e modest, shpeshherë as nuk e dinë ku është vendi dhe nuk e kanë idenë për muzikën tonë korale dhe këtë e shohin nëpërmjet korit ‘Siparantum’. Mund të jetë e bukur ose jo e bukur, mund të ketë paragjykime dhe mund të mos ketë, por kjo është kompetencë e anëtarëve të jurisë profesionale. Ajo që e bën të bukur këtë është se mendoj që paraqitja e Korit ka qenë në nivelin e duhur”, deklaroi Kelmendi.

Edhe disa prej anëtarëve të tjerë të jurisë kanë shprehur konsideratë të lartë për “Siparantum”. Ashtu edhe e kanë vlerësuar.

Pas ndarjes së çmimeve dhe në ahengun përmbyllës të Lojërave ku muzika rock ka pasur hisen më të madhe, ata kanë folur gjatë me dirigjentin Memli Kelmendi. I kanë shprehur admirimin e tyre për paraqitjen ku kanë marrë pjesë mbi 2 mijë koristë nga 63 kore e 25 vende të botës. Shumica kanë komentuar energjinë e emocionet që ka ngjallur Kori.

Vepra e parë që kanë interpretuar të hënën mbrëma ishte “PAX” e Memli Kelmendit, e cila e fut publikun e rrëmbyeshëm në lojë. Pas veprës së Kelmendit ka qenë ajo e kompozitorit Baki Jashari “Pakëz në ëndërr pakëz në zhgjëndërr”, që ka përçuar te publiku ndjesinë e një realiteti të dyfishtë. Është vepër që ngjall kureshtje për deshifrim dhe bart shumë mesazhe. Koreografia e saj është kapitull më vete. Formacioni koral nga Peja në program ka futur edhe dy vepra të huaja. “Te na solbici” të Samo Volk dhe “Atsalumst” të Jekabs Jancevskis. Që të dyja kanë ngjallur mjaft adrenalinë dhe kanë mbushur sallën me energjinë e interpretimit.