“Siparantum” i Kosovës po garon në “Lojërat Evropiane të Koreve”, ku garon për Çmimin e Madh të Kombeve, por ai tashmë ka fituar dhe dëshmia për këtë ka qenë prezantimi të hënën mbrëma në Norrköping të Suedisë, që është shndërruar në kryeqytet të koreve nga 25 vende të botës. Ka ngritur në këmbë publikun tok me jurinë, me vepra që i japin zë rrëfimit të Kosovës
Veç shpërndarja në skenë është spektakël më vete. Bartja e letrave të bardha në dorë tregon se bëhet fjalë për performancë jo fort të zakontë. Përtej çështjeve estetike, publiku shpejt e merr vesh se vepra, midis tjerash, është edhe një mesazh për kërkimin e paqes. Bëhet fjalë për veprën “PAX” të kompozitorit, Memli Kelmendi. Por, kur autori është edhe dirigjent i korit, mesazhi veç sa plotësohet. Krejt kjo qe veç intro e korit “Siparantum” në “Lojërat Evropiane të Koreve – Grand Prix of Nations”. Është kategoria më e lartë e garave ajo për Çmimin e Madh të Kombeve. E kanë arritur vetëm tri kore: ai norvegjez “Volve Vokal”, ai suedez “Den Akademiska Damkören Linnea” dhe kori “Siparantum” nga Kosova.
Në sallën kryesore të koncerteve, në qytetin rreth 200 kilometra në jugperëndim të Stokholmit, “Louis De Geer”, pas veprës së Kelmendit ka qenë ajo e kompozitorit Baki Jashari “Pakëz në ëndërr pakëz në zhgëndërr” që ka përçuar te publiku ndjesinë e një realiteti të dyfishtë. Është vepër që ngjall kureshtje për deshifrim dhe bart shumë mesazhe. Koreografia e saj është kapitull më vete.
Pjesa e parë e koncertit garues në qytetin e dritave, që sivjet ka mbledhur mbi 200 koristë të 63 koreve nga 25 vende, ka qenë më shumë një paraqitje e traditës së muzikës korale në Kosovë, e cila nuk është e moçme. Nisi me Lorenc Antonin në pjesën e parë të shekullit të kaluar. Por “Siparantum” është dëshmi e potencialit. Formacioni koral nga Peja në program ka futur edhe dy vepra të huaja. “Te na solbici” të Samo Volk dhe “Atsalumst” të Jekabs Jancevskis. Që të dyja kanë ngjallur mjaft adrenalinë dhe kanë mbushur sallën me energjinë e interpretimit.
“Po mendoj që përmes korit “Siparantum” ne kemi arritur të bëjmë një promovim shumë të mirë të vendit tonë, me vet faktin që brenda më pak se tre viteve ne vendit tonë ia kemi sjellë 12 shpërblime. Kjo ka bërë që anëtarët e jurisë, audienca, profesionistët në garë të vazhdojnë dhe të vlerësojnë punën tonë. Kjo na dërgon në një nivel e në një pikë jashtëzakonisht të rëndësishme. Natyrisht se çdoherë misioni i korit tonë është që sadopak, edhe pse repertori ynë koralisht është shumë i varfër në raport me vendet e tjera, prapëseprapë mundohemi ato të cilat janë t’i ruajmë edhe t’i kemi pjesë të repertorit tonë”, deklaroi Kelmendi.
E pranishme në ceremoni ka qenë edhe ambasadorja e Kosovës në Suedi Shkëndije Geci-Sherifi me një pjesë të stafit. Geci-Sherifi hyn te diplomatet që është pjesë e shumë ngjarjeve kulturore të vendit të saj në shtetin ku shërben.
“Thuhet se diplomacia kulturore e shpërfaq shpirtin e një kombi, dhe natyrisht kush e shpërfaq atë më së miri se sa muzika dhe në këtë rast kori “Siparatum”, i cili na bëri ne me të vërtetë krenarë. Kjo, pasi e përçoi një emocion të jashtëzakonshëm të publikut në disa pika muzikore që ishin tejet moderne – konteporane dhe vetë fakti që konkurron nesër në 65 kore botërore do të thotë shumë. Ne shpresojmë që “Kori Siparatum” të zërë vendin e parë, ose te jetë ndër vendet e para në këtë garë”.
Kësaj radhe, “Siparantum” drejt Suedisë udhëtoi me formacion të plotë, për dallim nga “World Choir Games” në Kore të Jugut, ku për shkak të fondeve, në korrikun e sivjetmë qe dashur që ta reduktojë numrin e anëtarëve pjesëmarrës. Por kjo nuk çoi peshë. Mori dy medalje të arta në nivelin më të lartë garues në edicionin e 12-të të kësaj gare.
Në Suedi do të vlerësohen nga juria në përbërje të profesionistëve. Që të gjithë e kanë duartrokitur Korin midis veprave dhe në njëfarë forme “Siparantum” veç është fitues. E ka “shpallur” publiku nëpërmjet përkrahjes që i ka dhënë.