Janë përplot figura grash brenda një objekti. Por jo lehtë eksploron nëpër to. Shenjat e tyre janë shpesh njëfarë mozaiku që do kohë të zbulohet. Instituti i artit bashkëkohor “Arkiv” në Pejë ka qenë strehë e tyre në kuadër të ekspozitës “Sorrë” të artistes malaziase Milena Joviçeviq, që jo pak rebelohet për dallimet gjinore.
Pak të dukshme kanë qenë krejt elementet e ekspozitës, por me mesazh goxha domethënës e të fuqishëm. Shumica gjenden në muret e rrjepura të objektit që deri më tash ka shërbyer si shkollë fillore. Jo rastësisht kur vjen me simbolikën se kontributi i gruas qëndron nën hijen e burrave dhe duhet gjurmuar goxha për ta zbuluar.
Ekspozita “Sorrë” proteston për gruan që në hyrje të objektit. Janë vendosur tetë tabela të institucioneve të qytetit të Pejës, ku improvizohet udhëheqja e gruas aty.
Të vendosura në dy anësoret që mbajnë tabelën e shkollës fillore “Vaso Pashë Shkodrani”, krejt bashkë vijnë si prapaskenë e sforcimit të pozitës së burrit dhe zbehjes së asaj të gruas. Natyrisht se edhe në ekspozitë është vështirë e dukshme, kështu që autorja e ekspozitës, Milena Joviçeviq bëhet cicerone për ta.
Ajo ka thënë se elementet e ekspozitës, veçanërisht fotografitë e vendosura nëpër mure dhe dysheme, vijnë si kërkesë e grave për t’u dëgjuar e për t’u njohur kontributi i tyre.
“Hymë në këtë shkollë dhe pamë se ka një rend të figurave të rëndësishme të Kosovës, të historisë së saj, pra figura të shquara. Vetëm dy nga ta ishin gra: Nëna Tereza dhe Elena Gjika. Mendova se kjo nuk është e drejtë që nuk ka asnjë grua tjera këtu, se duhet të vendosen disa gra këtu. Bëra një hulumtim dhe ideja ime ishte të vendos edhe pak brumë në të”.
Pjesa e fotografive ekzistuese në shkollë është tjetër rrëfim që bashkohet në këtë vijë. Ajo ka synuar barazinë edhe në figurat historike kur ka shtuar kornizat në nderim të grave. Jo rastësisht mbajnë veç mbishkrime dhe jo fotografi. Tjetër medium është audioinstalimi me krrokamat e sorrës.
Drejtori i institutit të artit bashkëkohor “Arkiv”, Sislej Xhafa, ka thënë se projekti konsiston në hulumtimin e problemit global të barazisë. Artin e ka vlerësuar formë të demokracisë së mendimit.
“Është krijimi i njëfarë hibridi mes veprës së artit, sepse vetë shkolla është një histori më vete, si studio e artit bashkëkohor, për ne është edhe një formë e filozofisë së re se si të krijohet një institucion si muze i artit bashkëkohor dinamik. Ne kemi aplikuar njëfarë filozofie lineare të mendimit, dalëngadalë kemi filluar të angazhohemi dhe të mendojmë për pjesëmarrjen e artistëve ndërkombëtar”.
e artit e artistja e përqendruar në artin bashkëkohor ka ekspozuar krijimtarinë e saj për të parën herë në Kosovë. Me të, instituti “Arkiv”, veç pak javë para se të mbushë një vit prej hapjes, ka dëshmuar seriozitetin e misionin e tij. Shndërrimi i objektit shkollor në institut të artit bashkëkohor, si iniciativë e artistit me famë botërore Sislej Xhafa, u inaugurua në korrikun e vitit të kaluar me ekspozitën e Artan Hajrullahut. Kori “Siparantum” në fund të marsit të sivjetmë interpretoi veprën e Memli Kelmendit, “Arkiv i arkivuar.
Ekspozita “Sorrë” do të qëndrojë e hapur deri më 30 dhjetor.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.