EXPRESS

"Arkivi i arkivuar" bën thirrje për paqe

Në lexim të parë, titulli tingëllon paradoksal. Paradoksale është edhe zbehja e kujtimeve të luftës, dëshmive të saj. Por “Arkivi i Arkivuar” është kontrapunkt. Kori i njohur tashmë botërisht, “Siparantum”, nëpërmjet kësaj vepre, bën të kundërtën: u jep zë përjetimeve të luftës dhe jo vetëm. Kulmon me paqe dhe ky është kontrasti i fuqishëm i saj.

Vepra e kompozuar prej Memli Kelmendit, njëherësh dirigjent e themelues i Korit, ka jehuar të shtunën në Institutin e Artit Bashkëkohor në Pejë – “Arkiv” i cili prej verës së vitit të kaluar, që zë vend në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Vaso Pashë Shkodrani”. Kelmendi ka konsideruar se vepra mbetet një prej më të pëlqyerave dhe unike.

“Vepra përmban elemente të Arkivit tonë, prandaj e kemi quajtur ‘Arkivi i Arkivuar’ me idenë se brenda saj dëgjohen vuajtjet në të cilat ka kaluar populli ynë gjatë shekujve e veçanërisht gjatë luftës së fundit. Jemi munduar ta shprehim përmes letrës së bardhë të cilën e kemi përdorur si simbol të paqes, vokalit, elegjisë, thirrjeve për paqe e dedikim për të vrarët e luftës”.

Anëtarët e “Siparantum” – korit të çmimeve botërore – teksa i thërrasin kujtesës, zbërthejnë qëndresën e shpirtit njerëzor. Në esencë vepra përcjell mesazhe paqeje.

“Neve na ka ndikuar sado pak kjo performancë sepse e dimë nga historia sado pak se çfarë ka ndodhur nga lufta në Kosovë dhe e kemi pasur atë pjesën ku e kemi kërkuar paqen tek vepra jonë”, deklaroi Kujtesa Mimanaj.

Vepra është e stilit bashkëkohor dhe brenda saj mban elemente koreografike të cilat i japin qasje më ndryshe prej atyre që japin rëndom formacione të tilla. “Siparantumi” ka kohë që është dëshmuar si unik dhe për këtë ka marrë çmime të njohura ndërkombëtare.

Koristi Shaban Behramaj ka thënë se kjo vepër ka një mision të veçantë dhe për realizimin e saj kanë dhënë maksimumin.

“Pa diskutim se është bërë një punë e jashtëzakonshme për të cilën jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e saj dhe që kemi pasur mundësi sado pak që përmes artit të këndimit të artit ta paraqesim atë se çfarë ka dashur autori të paraqes para publikut pjesëmarrës. Një vepër që paraqet përjetimet e luftës dhe ardhjen e paqes në vendin tonë”.

Pos performancës, të shtunën është promovuar edhe katalogu i ekspozitës ”Silence Took a Hold of the Rooms”, i artistit Artan Hajrullahu me të cilën më 23 korrik të vitit të kaluar u përurua Instituti i Artit Bashkëkohor “Arkiv” i cili zë vend në ish-objektin e shkollës fillore dhe të mesme të ultë “Vaso Pashë Shkodrani” në Pejë. Realizimi i këtij projekti kishte qenë nismë e artistit të njohur, Sislej Xhafa, përkrahur prej autoriteteve komunale.