EXPRESS

Arti në “luftën” e karatesë

Kimonja është ajo që i bën të dallohen nga sportet e tjera. Vishen, futen në sallë, renditen në vendet e tyre dhe gjithçka fillon me një përshëndetje.

Çdo lëvizje që e bëjnë është art më vete. Përfshirja e çdo gjymtyre të trupit, stabiliteti e reagimi i shpejtë janë karakteristikat kryesore të sportit që origjinën e ka në Japoni.

Karateja bën pjesë te sportet luftarake, e cila shërben për vetëmbrojtje. Mirëpo, të mirat për shëndetin mental e fizik nuk mbesin me kaq.

Entuziazmi dhe dëshira janë ato që i bëjnë bashkë karateistët e klubit “Prishtina”. E ai që qëndron prapa tyre qe 47 vjet, pavarësisht sfidave që i kanë dalë përballë, është trajneri Ismail Fazliu.

“Trajner me qenë është përgjegjësi e madhe, por edhe privilegj. Në fillim të karrierës sime e kam pasur një fatkeqësi në vendin e punës dhe atë që s’kam arritur ta realizoj si garues, tani punoj me nxënës që ta arrijnë këta në gara të ndryshme”, shprehet Fazliu, i cili karaten e cilëson si shkëmbim të teknikave me këmbë dhe me duar..

Ushtrimet mbahen tri herë në javë, teksa ata takohen në sallën e shkollës fillore “Dardania”.

Brezat janë shenjat e niveleve në karate. Fillestarët kanë brezin e bardhë, për të vazhduar tutje me të verdhën, portokalltën, gjelbrën, kaltrën dhe tëkaften. Krejt në fund është e zeza, e cila e simbolizon errësirën, teksa kjo nënkuptohet se karateisti tashmë nuk është në shkallën e të ushtruarit, por të studimit të këtij sporti.

“ Jam bërë më e fortë. E kam një botë krejtësisht ndryshe nga moshatarët e mi që s’merren me sport. Kam qëllime të tjera, të jem e suksesshme në sport dhe jo ta kem vetëm si rekreacion. Më ka bërë të ndihem më e sigurt në vete dhe të vetëmbrohem”, thotë Enkela Arifi.

“Rreth karatesë gjithçka është e mirë, çdo gjë është perfekte. Teknikat e vetëmbrojtjes i ka shumë të mira, por të mëson edhe se si me qenë i qetë në situata trazuese”, pohon Antoneta Budakova.

Të interesuar ka që nga mosha 4-vjeçare, teksa ky klub numëron disa kampionë në nivel vendi e ndërkombëtar. Trajneri Fazliu tregon se karateja klasifikohet edhe si shkathtësi luftarake, për vetëmbrojte dhe si sport.

“Si shkathtësi luftarake është shumë e gjerë dhe përdoren teknika të cilat janë edhe të ndaluara, të cilat janë përdorur për mbrojtje të pronave e manastireve. Si sport për vetëmbrojte mësohen disa teknika, kurse në sport teknikat kufizohen edhe më shumë dhe është një sport për njerëzit intelektualë që ruhet shëndeti i sportistëve që të mos shkaktohen lëndime te njëri- tjetri”, shprehet trajneri i klubit të karatesë “Prishtina”.

“Ka sporte që e zhvillojnë vetëm forcën, kurse karateja zhvillon shkathtësinë, lëvizshmërinë, elasticitetin, forcën, shpejtësinë, perceptimin e shpejtë. Në aspektin shpirtëror ka siguri, guxim. Kurse pamjen- ta bën një trup jashtëzakonisht të bukur për shkak që përdoren të gjitha gjymtyrët dhe të dy anët”, shton tutje ai.

Krejt në fund, njësoj sikurse fillimi, gjithçka mbaron me një përshëndetje.