EXPRESS

Trotineti elektrik, kursyes i kohës dhe parasë

Nuk e ndotin ajrin. Pa tym e zhurmë. E vetmja formë e funksionimit të tyre është nëpërmjet baterive rimbushëse.

Trotinetët elektrikë janë në trend tashmë. Jo pak qytetarë e përdorin si mjet transporti, e mjet pune është veçmas për kompanitë shpërndarjes.

“Është ekonomik, për shkak që ka shpenzime shumë të vogla, i bën 100 kilometra me një shumë rreth 40 centë. Është praktik, po përdoret në çdo qytet të botës”, thotë Ardian Pllana, menaxher i kompanisë “Rrota”.

Interesimi për to varion teksa Pllana thotë se kanë klientë nga mosha 8 e deri te 60-vjeçare.

“Është viti i tretë që e kemi sjellë një lloj të trotinetit, që ka shpejtësi 120 km në orë. E quajmë ‘tmerruesi’, sepse është i tmerrshëm për nga fuqia dhe shpejtësia. Kemi sjellë disa lloje, modeli standard e ka 150 V fuqinë e motorit. Është e jashtëzakonshme”, tregon ai.

Edon Gorqaj për çdo ditë qe 2 vjet i bën nga 12 kilometra me trotinetin e tij elektrik, nga Prishtina deri në Fushë-Kosovë.

“Është mjet shumë i lirë, e redukton kohën, me veturë vjen për 30 minuta, unë maksimalisht vij për 15 minuta. Nuk shpenzon shumë, 10 centë e harxhon një mbushje dhe kohën e ka shumë të shpejtë, diku deri 4 ose 5 orë”, thotë studenti nga Istogu.

Por, pavarësisht përparësive të tij, infrastruktura rrugore nuk i ka kushtet e duhura për përdorimin e tij.

“Rrezikshmëria është pak e madhe, për shkak që veturat nuk të respektojnë, të afrohen e pastaj duhet të përdorësh rrugën e veturave. Janë shtigjet e biçikletave diku-diku në Prishtinë, por jo sa duhet”, vlerëson Gorqaj.