EXPRESS

Autori me të pamur të dëmtuar nuk ndalon së shkruari

Vështirësive të jetës, Betim Bregovina kishte vendosur t’u dilte përballë duke qenë frymëzim për të tjerët, nëpërmjet realizimit të ëndrrave të tij.

Shkrimtarin e ri nuk e kishte ndalur as dëmtimi i të pamurit, për të përçuar mesazhin e tij nëpërmjet poezisë.

“Diku në moshën 16 vjeçare kam shkruar poezitë e para, më saktësisht nëse nuk gaboj...që është edhe poezia e parë në librin e parë”, thotë ai.

Mirëpo, problemi me sytë, nuk e ndali që të jepte mesazhin që e mendonte. I memorizoi poezitë e tij dhe ia diktoi herë motrës e herë një edukatori të tij.

“Nga një varg ia kam diktuar, varg për varg ai e ka shkruar, ekziston fletorja fatkeqsisht lapsi jo. Fletorja e poezive të para ekziston”, shton Bregovina.

Kështu kishte lindur përmbledhja e parë me poezi, “Mall i murosur” për të qenë pararendëse e 6 veprave të tjera.

“Fillimisht për mua kanë qenë preokupimet të ndikuara prej folklorizmit, që është libri i parë. Iliria, Dardanët...”, shprehet ai.

Por, frymëzimet e të riut me 3 diploma në Universitetin e Prishtinës dhe një tjetër në ardhje nuk u mjaftuan me kaq.

“Kam shkruar për dëshira, simpati, dashuriçka e shoqeve të klasës të shkollës, porosi shok pas shoku”.

Lidhja e tij me lexuesit është e veçantë. Betimi kishte trokitur në dyert e shkollave të Klinës, Vushtrrisë e Prishtinës për të mbetur në mendjet e nxënësve si simbol i përpjekjes.

Në anën tjetër, përgatitja akademike dhe njohuritë e tij në shumë fusha nuk ia mundësuan atë që e priste, punësimin.

“Nëse më pyet a të kanë ofruar punësim, unë e kam një përgjigje krejt të kundërt me ata tënden. Më kanë ofruar diskriminim”, thotë Bregovina.

Betimi përtej botimeve autoriale, ka marrë pjesë edhe në botime grupore në revistat “Fuqia e Fjalës” dhe “Kufijtë e pritjes”, e cila është punë dhe mund i komunitetit të të verbërve të Kosovës, teksa ata kanë sjellur 4 versione të botimit, duke përfshirë atë akustik, alfabetin latin në format të librit dhe në dimensione më të mëdha si dhe formatin e shkrimit braill.

Krejt në fund, ai ka një mesazh për të rinjtë.

“Ndiqeni ëndrrën e juaj dhe përmbushuni, por rrini thjeshtë, sepse e keni obligim të bëni opozitën e të vërtetës”, deklaroi Bregovina.