EXPRESS

11-vjeçarja hap “biznesin” e saj të vogël

11-vjeçares Stina Çerkini i shkrepi një ide. Dhe kjo mjaftoi që të vendosë për diçka të re.

“Dua ta hap një biznes”, ishin fjalët me të cilat befasoi familjarët. Por pak ditë më pas, kur e shpërfaqi më qartë idenë e saj, ajo filloi krijimin e aksesorëve të ndryshëm.

Kështu, Stina nisi t’i shiste punimet e saja të punuara me dorë.

“Gjithmonë, kur kam qenë e vogël, më kanë pëlqyer shumë stolitë dhe i kam parë mamanë dhe motrën duke i vendosur, për atë më kanë pëlqyer shumë. Fillimisht kam menduar që vetëm blihen dhe pas një kohe e pashë që edhe mund të punohen vetë nga dora. Këtë ide fillova ta realizoja dhe më dolën mjaft mirë, edhe shoqeve iu kanë pëlqyer shumë e pastaj më sugjeruan që ta hapja një biznes. Nga inkurajimi i shoqeve, shokëve dhe familjarëve të mi kam vendosur ta hapja këtë biznes. Një ditë kemi qenë me babanë duke u kthyer nga kursi i gjimnastikës dhe e kam pyetur atë: ‘A mund ta hap një biznes të vogël?’, kurse babit i ka pëlqyer ideja dhe më tha se ka shumë shpenzime, ndërsa unë kam qeshur dhe i kam thënë se dua ta hap virtualisht”, tregon 11-vjeçarja Stina Çerkini.

Dhoma u bë vendi ku Stina me bindje të plotë nisi ta realizonte ëndrrën, e dërgesat e para ishin në shkollë.

Ato jashtë shkollës po i bën në një mënyrë të veçantë, duke u dhënë mundësinë blerësve ta takojnë artisten 11-vjeçare.

“Unë e kam hapur edhe faqen me biznesin tim të vogël në Instagram, ku njerëzit më shkruajnë. Kur porosisin shoqet dhe shokët, kur i shoh ua dërgoj, ndërsa kur porosisin njerëzit e panjohur, vetëm e lëmë një vend se ku të takohemi dhe ua dërgoj”, tregon artistja e re Stina Çerkini.

Stina, e cila po punon me plot përkushtim, tregon për aksesoret të cilët i ka punuar gjatë këtyre ditëve.

“Ka mjaft produkte të cilat i punoj, duke filluar nga zinxhirët, byzylykët dhe vathët. Për ta bërë një byzylyk përdor tojë elastike, ku hyjnë rruazat që blihen veças, ndonjëherë fus edhe ndonjë figurë, siç e kam futur këtu dredhëzën. Vathët i krijoj me figura dhe këtu e përdor kreativitetin më së shumti. Kur gjej ndonjë objekt ose figurë që më pëlqen, filloj të punoj diçka me të dhe në fund del diçka shumë e bukur”, shpjegon Stina.

11-vjeçarja nga Prishtina kur pushon së punuari, kohën e lirë e kalon duke luajtur në piano.

Ajo ka edhe një pasion tjetër. Tregimet e shkruara bazuar në imagjinatën e saj, tashmë i lexon me ëndje. Stina, mes shumë pasioneve, do të vazhdojë të zbulojë veten dhe të dhurojë aksesorë shumëngjyrësh, tinguj e tregime të veçanta.