Banorët e fshatrave Llapushnik dhe Komoran të Drenasit janë në hall me mbeturinat që po hidhen në deponinë në fshatin Llapushnik. Edhe pse kjo deponi është krijuar për hedhjen e mbeturinave inerte, aty po hidhen edhe mbeturina të llojeve të tjera, duke shkaktuar pakënaqësi tek banorët e këtyre fshatrave. E nga Komuna thonë se nuk po arrijnë të menaxhojnë me të
U krijua në vitin 2014 për hedhjen e materialeve inerte, por kjo deponi që ndodhet në fshatin Llapushnik të Drenasit është bërë shqetësim për banorët e fshatrave përreth.
Aty po hidhen edhe mbeturinat e tjera, nga ato plastike, deri tek ato të mbetjeve shtazore.
Banorët ankohen se ato shpeshherë edhe po digjen, duke krijuar kundërmim të papërballueshëm për ta.
Banori Hysni Gashi, që njëherësh është edhe anëtar i Kryesisë së fshatit Llapushnik, thotë se që nga krijimi i kësaj deponie qytetarët kanë hedhur mbeturina ilegale në atë pjesë.
“Këtu nga të gjitha anët hedhin bërllok të ndryshëm, të rrezikshëm, kancerogjen etj. dhe pastaj edhe po ia vënë flakën, ku tashmë po e ndot edhe ekoserrën, kulturat bujqësore, ujin, tokën dhe ajrin. Ndërsa Komuna e Drenasit, kryetari i saj, Ramiz Lladrovci, dhe inspektorët e tij, kanë dështuar në menaxhimin e kësaj deponie”, ka theksuar ai.
Sipas tij, mbeturinat zakonisht po digjen në mbrëmje dhe tymi që krijohet nga to, sipas tij, është bërë i papërballueshëm.
Banorët thonë se i kanë njoftuar disa herë Komunën, Inspektoratin e Policinë, por që ende nuk është bërë një zgjidhje e përhershme e këtij problemi.
Përveç Llapushnikut, edhe fshati ngjitur me të, Komorani, është në hall me këto mbeturina.
Administratori i Komoranit, Nasuf Mulaku, në emër të banorëve të asaj ane ka thënë se janë në rrezik të përhershëm nga kjo deponi.
“Po na shkakton ndotje të ujit, ajrit, çdo tri ditë kallet, e thirrim Policinë, zjarrfikësit dhe domethanë kjo nuk është punë që po don me u ndalë, nuk po ndalet, thjesht na duhet me lyp zgjidhje”, ka theksuar ai.
Sipas tij, kjo gjendje është që nga krijimi i saj. Ka thënë se kur është bërë deponia, Komuna ka premtuar se do ta punësonte një person që do të merrej me menaxhimin e kësaj deponie, por që, sipas tij, një gjë e tillë nuk është bërë asnjëherë.
Edhe pse me standarde parashihet që çdo deponi të ketë rrethojë dhe të mos lejohen persona të paautorizuar në të, në deponinë e Llapushnikut kjo rrethojë është demoluar. Aty janë hequr edhe shenjat që ishin vendosur nga Komuna që hapësira është nën vëzhgim të kamerave.
Nga Komuna e pranojnë që gjendja në këtë deponi është jo e mirë dhe se nuk po arrijnë ta menaxhojnë. Thonë se është mirëmbajtur vazhdimisht dhe se hera e fundit është bërë para 2 javësh.
Në një përgjigje me shkrim ata kanë thënë se kanë shqiptuar gjoba ndaj disa personave të papërgjegjshëm që kanë hedhur mbeturina aty dhe se janë në pritje të identifikimit nga Policia edhe të personave të tjerë që janë kapur nga kamerat mobile të vendosura nga Komuna.
“Ne si Komunë kemi shpallur një tender për menaxhimin e kësaj deponie për një periudhë 2-vjeçare, por që shkaku i ankesave që ka pasur, kjo procedurë tenderuese është bllokuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. Ne jemi në pritje të zgjidhjes së kësaj çështjeje”, thuhet në përgjigjen e Komunës.
Fillimisht deponia para shfrytëzimit sipas Komunës, është kufizuar me rrethojë metalike me qëllim që të mos frekuentohej nga kafshët dhe personat e tjerë të paautorizuar.
“Në pjesën hyrëse të deponisë është vendosur një hyrje dere me mundësi qasje për hudhjen e mbeturinave nga ndërtim demolimi”, thuhet në përgjigjen e saj.
Sipas saj, kohëve të fundit nga vizitat në terren dhe raportimet e qytetarëve ka vërejtje se nga persona të papërgjegjshëm po bëhet hedhja e mbeturinave të llojeve të tjera, për çka, siç ka thënë, nuk është e destinuar hapësira e deponisë në fshatin Llapushnik.
Derisa Komuna e Drenasit ta zgjidhë problemin me menaxhimin e deponisë në Llapushnik, banorët e fshatrave përreth do të vazhdojnë të jenë në hall nga mbeturinat që po hidhen në mënyrë ilegale në atë deponi.