Njohjen e Kosovës ia ka përmendur Serbisë, presidenti amerikan Joe Biden.
Në letër urimin drejtuar presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, me rastin e Ditës Kombëtare të Serbisë, që shënohet javën tjetër, Bideni ka thënë se Serbia duhet të punojë në arritjen e qëllimit të saj për integrim evropian.
“Në emër të popullit amerikan, ju shpreh urimet e mia të përzemërta juve dhe qytetarëve tuaj të tjerë, ndërsa festoni ditën kombëtare të Serbisë më 15 Shkurt. Ndërsa përkujtojmë 140 vjet partneritet midis dy vendeve tona, Shtetet e Bashkuara mbajnë angazhimin e tyre të qëndrueshëm për të promovuar bashkëpunimin ekonomik, stabilitetin rajonal dhe vlerat demokratike. Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqendruar në njohjen reciproke. Fuqia e marrëdhënies sonë është e ndërtuar mbi një histori të thellë të lidhjeve njerëz me njerëz, duke luftuar si aleatë në të dy luftërat botërore dhe ne çmojmë kontributet e mëdha që serbët i kanë dhënë shoqërisë amerikane në shumë fusha. Ne gjithashtu vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në luftimin e pandemisë COVID-19, ndërsa bashkërisht përballemi me këtë sfidë të paparë globale. Unë pres që të punoj me ju për të thelluar lidhjet e miqësisë midis vendeve tona dhe për të forcuar marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ju uroj ju dhe popullit të Serbisë një festë të gëzueshme”, thuhet në letrën e Bidenit.
menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentit serb. Ndonëse ka mirëpritur urimin e Bidenit, Vuçiqi ka thënë se me qëndrimin e tij për këtë çështje janë të njoftuar të gjithë.
“Kam marrë urimet e presidentit Biden, faleminderit për urimet. Për sa i përket njohjes së ndërsjellë, ajo nuk thuhet në asnjë akt të organizatave botërore, BE-së ose në ndonjë rezolutë. Ka pasur përpjekje për ta imponuar atë term si diçka që duhet ta kishim pranuar. Si një zgjidhje përfundimtare, dhe unë tashmë ua kam thënë në fytyrën se çfarë mendoj për njohjen reciproke", ka thënë Vuçiq.
Letra e Bidenit, në Kosovë është duke u parë si konfirmim i qëndrimit amerikan ndaj raporteve me Serbinë.
“Është një mesazh pozitiv, absolutisht është një mesazh i cili i dërgohet vetë popullit të Serbisë si një mesazh, ku ndër të tjera thuhet se SHBA-ja mbetet e përkushtuar për të ndërtuar raporte me Serbinë, me qytetarët e Serbisë për ta shtyrë dhe për ta mbështetur Serbinë në rrugëtimin evropian dhe që shohin si zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë njohje reciproke”, ka thënë Jeta Krasniqi, hulumtuese në KDI.
Pas letrës së Bidenit, ka reaguar kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti. Ai fillimisht, duke postuar një foto duke qeshur, ka thënë se “kur i ke miqtë e fortë, vjen vera kah dera”.
Më pastaj, përmes një shkrimi tjetër në Facebook, ka thënë se letra drejtuar presidentit serb “është edhe një dëshmi për lidhjen e veçantë midis dy vendeve”.
“SHBA-ja mbetet aleati më fuqiplotë i Kosovës. Nga Shtëpia e Bardhë vazhdojnë të vijnë vetëm lajme të mira për Kosovën. Letra e presidentit Biden, dërguar presidentit të Serbisë për njohjen e Kosovës, është edhe një dëshmi për lidhjen e veçantë midis dy vendeve, miqësinë e përjetshme për të cilën fliste presidenti Rugova, sa herë që thoshte se shtëpia nuk mbahet pa miq. Marrëveshja e 4 shtatorit 2020, ishte vetëm fillimi i një etape të re të partneritetit strategjik që SHBA-ja ka me Republikën e Kosovës, ne do ta thellojmë edhe më tej këtë partneritet. Kosova vazhdon të mbetet prioritet në agjendën e SHBA-së”, ka shkruar Hoti.
Qëndrimin e Amerikës të shprehur në letër urimin drejtuar presidentit serb, e ka mirëpritur edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.
“Është pa dyshim e qartë se e vetmja rrugë përpara në dialog është marrëveshja e njohjes reciproke. Një qasje e humbur që nga fillimi i dialogut - një qasje e nevojshme për përfundimin e tij me sukses”, ka thënë ajo.
Letrën e presidentit amerikan, drejtuar atij serb, ku theksohet edhe arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe njohja reciproke e kanë përshëndetur edhe figura të tjera politike në vend.