Derisa ditëve të fundit Kosova është duke u përballur me rritje të numrit të të vdekurve e të infektuarve me COVID-19, fokusi i institucioneve është zhvendosur nga pandemia në kërkimin e votave.
Në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, thirrjet për distancë sociale, u shndërruan në organizime e tubime me mbi 20 persona.
Por ministri në detyrë, Armend Zemaj, në një përgjigje për KOHËN ka thënë se përkushtimi dhe dinamika e tyre është e njëjtë, derisa ka renditur disa arritje që, sipas tij, kanë bërë.
“Për asnjë moment jo, përkushtimi i njëjtë dhe me dinamikën e njëjtë qoftë në menaxhimin e pandemisë dhe avancimit të shërbimeve shëndetësore. Vetëm këtë javë kemi funksionalizim të qendrave të testimeve PCR në rajone, shtimi i kapaciteteve me furnizim me oksigjen, nisja e dy objekteve të QKMF-ve në Mamush dhe Deçan, si dhe shpërndarja e një numri të konsiderueshëm të pajisjeve mjekësore për spitale dhe QKMF-të”, ka thënë ai.
Që nga 1 janari i këtij viti e deri më tani janë konfirmuar mbi 7 mijë raste të reja me COVID-19. E mbi 130 persona kanë përfunduar me fatalitet gjatë kësaj kohe.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, 8 persona të infektuar me COVID-19 kanë vdekur, derisa nga 2 mijë e 325 mostra të testuara janë regjistruar edhe 301 raste të reja.
Edhe numri i të hospitalizuarve është rritur ditët e fundit.
“Për momentin në Klinikën Infektive i kemi 95 pacientë, të cilët janë duke u trajtuar, janë të hospitalizuar. Këto ditët e fundit, kemi pasur një rritje të lehtë të numrit të pacientëve, të cilët janë të hospitalizuar dhe ende kemi pacientë të cilët janë në gjendje të rëndë, janë në oksigjeno-terapi, 60 deri në 65 % të pacientëve janë në oksigjeno-terapi dhe dy pacientë janë në respiratorë, në mjekim intensiv të Klinikës Infektive dhe përkundër javëve të kaluara ku patëm një rënie të lehtë të numrit. Këtë javën e fundit kemi një rritje të lehtë”, ka thënë drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha.
Ministria e Shëndetësisë, në një përgjigje për KOHËN, ka thënë se masat e ndërmarra në dhjetor do të vazhdojnë të jenë në fuqi, e duke e arsyetuar rritjen e numrit të të infektuarve me rritjen e testimeve që janë bërë ditët e fundit.
“Masat e ndërmarra në dhjetor janë ende në fuqi dhe duhet të zbatohen. Ajo çfarë është parë në dy ditët e fundit është se numri i testimeve është rritur, të hënën janë kryer 1.903 mostra ku 16% prej tyre kanë rezultuar pozitive në SARS COV2, kurse të martën janë kryer 1.842 testime prej të cilave mostra pozitive në SARS COV-2 kanë rezultuar 15.6%. Pra, niveli i infektimeve është afërsisht i njëjti me muajin e kaluar, ndërkohë që ka një ngritje të lehtë të rasteve që kanë kërkuar tretman spitalor për COVID-19. Ka pasur oscilime edhe rreth numrit të të vdekurve, derisa shkalla e vdekshmërisë aktualisht është 2.5”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Vetëm tri ditë pasi vetë i shkeli masat, ministri, Zemaj përmes një statusi në Facebook ka kërkuar nga qytetarët për respektim të masave.
Por, institucionet ende nuk dinë se kur do të fillojë vaksinimi në Kosovë, derisa gjatë gjithë kohës është përmendur si opsion muaji shkurt.
Në një përgjigje tjetër të MSH-së, thuhet se kanë dërguar planin e detajuar të shpërndarjes së dozave të para të vaksinës në mekanizmin COVAX dhe se janë në pritje të informacioneve për kohën e arritjes së dozave në Kosovë.
Kurse në lidhje me sigurimin e rreth 300 mijë dozave me kompaninë “Pfizer”, kjo ministri ka thënë se detajet do të publikohen brenda pak ditësh. Ministria ka treguar se janë përcaktuar disa lokacione që do të shfrytëzohen për vaksinim.
“MSH-ja pret që të njoftohet për datën e arritjes së dozave të para dhe sasinë e tyre, ndërkohë që është siguruar edhe zinxhiri i ftohtë (-70 grade Celsius), i ri për ruajtjen e vaksinave (cilësdo prej tyre) në kushte të sigurta. Sa i përket lokacionit, për simbolikë procesi mund të nisë në ndonjë palestër apo ambient tjetër të përshtatur për fushatën, por vaksinimi do të bëhet kryesisht në njësitë e vaksinimit të QKMF-ve për shkak të traditës së mirë të vaksinimit që këto njësi kanë me Programin e Zgjeruar të Imunizimit dhe stafit të përgatitur. Gjithashtu, module shtese trajnimi për rifreskim të njohurive janë përgatitur për ata që do të marrin pjesë në fushatën e vaksinimit. Më shumë detaje, sa i përket ‘Pfizerit’ do të kuptohen besojmë brenda pak ditësh”, thuhet tutje në përgjigjen e MSH-së.
Informacione nuk kanë dhënë as për arritjen e dozave të vaksinës së premtuara nga Shqipëria.