Video

Gjobiten partitë politike për shkelje të masave anti-Covid

Tubimet e partive politike në prag të fushatës zgjedhore po mbahen në kundërshtim me masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, ndërkohë që numri i viktimave dhe rasteve të reja të të infektuarve ka shënuar rritje.

Pjesëmarrja përtej numrit të lejuar në tubime, në hapësira të brendshme, mosmbajtja e maskave dhe mosrespektimi i distancës janë shkeljet për të cilat Inspektorati i Komunës së Prishtinës ka ndëshkuar të hënën PDK-në, Vetëvendosjen dhe LDK-në.

Drejtori i këtij Inspektorati, Adonis Tahiri, ka theksuar se këto parti po shkelin rregullat të cilat vetë i kanë miratuar.

“Gjobat ipen në bazë të nenit 25.1 të ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19, ligj ky të cilin janë po këro subjekte që e kanë votuar në Kuvendin e Kosovës dhe ështe hipokrizi nëse këtë ligj e zbatojmë vetëm te bizneset dhe qytetarët, e në anën tjetër te ligjvënësit e qeveritarët jo”, tha Tahiri.

Në rast se partitë nuk do t’i paguajnë gjobat prej nga 2 mijë euro, dhe kjo do të dihet në fund të muajit, Tahiri ka thënë se do të nisin proceduart përmbarimore.

“Në rast mospagese këto shkojnë në procedurë te pëermbaruesi dhe iu bëhet më shtrenjtë secilit subjekt”, tha ai.

E për mosrespektim masash ka pasur kritika të shumta të hënën ndaj vetë ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili ka postuar në Facebook një fotografi nga një tubim në Deçan, ku përkrahës të shumtë të LDK-së janë mbledhur në një lokal të mbyllur, pa maska e distancë.

I kontaktuar nga Koha, Zemaj tha se nuk ka pasur shkelje në atë tubim dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat.

“Ftoj të gjithë pa përjashtim që të kenë kujdes maksimalisht, edhe pse është kohë e zgjedhjeve dhe kërkesave për takime”, deklaroi Zemaj.

Derisa nuk është raportuar për ndonjë gjobë të shqiptuar për këtë tubim në Deçan, në Komunën e Prishtinës, për mosrespektim masash LDK-ja është gjobitur tri herë dhe nga një herë AAK-ja, Nisma, PDK-ja dhe Vetëvendosja.