Prishtinë, 24 janar - Kritikat e ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, drejtuar Komisionit Qendror Zgjedhor, Lidhja Demokratike e Kosovës i ka quajtur kërcënime. Zëdhënësja e shtabit zgjedhor të LDK-së, Ardita Dushi, duke iu referuar Osmanit, ka theksuar se puna e KQZ-së është cenuar nga ata që janë të obliguar sipas Kushtetutës të sigurojnë funksionim të pavarur të këtij institucioni.
Sipas Dushit, me qasjen e saj, Osmani ka bërë shkelje kushtetuese dhe ka favorizuar një grup të caktuar politik. “Ky kërcënim është shkelje kushtetuese, për dy arsye, është ndërhyrje në punën e KQZ-së dhe është tentim për favorizim të një grupi politik. Është hera e parë në Kosovë që nga viti 1999 që ndodh një kërcënim i tillë dhe ndërhyrje flagrante në pavarësinë e punës së KQZ-së”, ka thënë ajo.
Përmes një videomesazhi, gjatë së shtunës, Osmani kishte kritikuar KQZ-në dhe drejtuesen e saj, Valdete Daka, se po punojnë me agjenda politike. Pas rekomandimit të Zyrës për Regjistrimin dhe Certifikimin e partive politike për t’i certifikuar në pako listat e partive, Osmani tha se KQZ-ja, e në veçanti, Valdete Daka, i kanë ushtruar presion kësaj zyre dhe udhëheqësit të saj. Në adresimin e saj, Osmani kishte thënë se nëse ndodh që partitë dhe qytetarët të ballafaqohen sërish me atë çfarë ndodhi të premten, kur disa lista dhe parti nuk u certifikuan pavarësisht rekomandimit të Zyrës për Regjistrimin dhe Certifikimin e partive politike, ajo do të detyrohet të marrë masa sipas përgjegjësive që ka.
“Në rast se ballafaqohemi sërish me situata të tilla, ku abuzohet me KQZ-në si institucion i pavarur për të shtyrë përpara agjenda partiake, si dhe forum ku ushtrohet presion mbi shërbyesit civilë, do të detyrohem të ndërmarr të gjitha masat për mbrojtjen e integritetit të KQZ-së dhe këtij procesi zgjedhor ashtu siç e parasheh Ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe ashtu siç më detyron Kushtetuta e vendit”, ka deklaruar Osmani, pas moscertifikimit të listës së Lëvizjes Vetëvendosje, pjesë e së cilës është edhe ajo vetë.
Në konferencën që mbajti të dielën, Dushi ka shtuar se partia e saj i garanton qytetarët e Kosovës se vullneti i tyre i lirë nuk do të mund të ndryshohet nga kërcënimet dhe linçimet dhe se gjithashtu, LDK-ja, nuk do ta lejojë nëpërkëmbjen e institucioneve shtetërore.
“Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon nga të gjitha institucionet e pavarura dhe nga KQZ-ja që të mos ndikohen nga kërcënimet, pavarësisht se nga kush vijnë ato kërcënime. I garantojmë qytetarët e Kosovës se këto kërcënime dhe fushata e linçimeve publike do të marrin fund më 14 shkurt, kur sovrani me votën e lirë do të refuzojë praktikat jodemokratike të kërcënimit dhe shantazhimit”, ka thënë ajo.
Tutje, Dushi ka bërë të ditur se slogani i LDK-së për zgjedhjet e 14 shkurtit do të publikohet deri të dielën pasdite.