Lajme

Ekspedita e KAP-it në Everest nesër niset drejt Kampit 1 (Lugina e heshtjes) - Dita 22

Descriptive Text

Anëtarët e ekspeditës së Kosovës drejt Everestit, Nazmi Hasanramaj dhe Arineta Mula, që nesër planifikojnë të nisen për në Kampin 1, Luginën e heshtjes, që shtrihet në lartësi mbidetare prej 6100 deri në 6400 metra.

Kushtet klimatike janë ende të vështira. Erërat e forta kanë çarë një pjesë të akullnajës Khumbu, në hapësirën ndërmjet dy kampeve. Prandaj edhe sherpat i janë qasur punës së rivendosjes së litarëve dhe të shkallëve që do ta mundësojnë ngjitjen deri në Kampin 1.

Për nesër është paraparë edhe përmirësimi i motit, prandaj edhe anëtarët e ekspeditës, të cilët janë shumë mirë me shëndet dhe me disponim, do ta nisin fazën e parë të aklimatizimit prej Kampit Bazë e drejt majës, duke besuar se do të mund të arrijnë edhe në Kampin 2.

Reshjet e borës që janë paralajmëruar në dy ditët në vijim, pritet edhe që t’i zbusin temperaturat të ulëta që mbërrijnë në minus 28.

Për të mbërritur deri në majën e Everestit (8850 metra) duhet kaluar katër kampe: Kampin 1 – Luginën e heshtjes (6100-6400 metra); Kampin 2 (6400 metra); Kampin 3 – Murin Lhotse (6800-8000 metra); Kampin 4 – Zonën e vdekjes (8000 metra).

Në bashkëpunim me sherpat, ekipi është duke e përpiluar planin e ngjitjeve dhe zbritjeve ndërmjet këtyre kampeve. Kjo do të nënkuptojë qëndrimin e tyre disaditor në ndonjërën prej pikave të përmendura dhe madje kthimin në Kampin Bazë për pushimin e organizimit.

Caku i ekspeditës të ditët në vijim është të mbërrijnë në 7500 metra lartësi mbidetare (fillimi i murit Lhotse – malit të katërt më të lartë në botë).

Image