Lajme

Alpinistët nga Kosova nisin ngjitjen drejt Everestit - Dita 19

Sot në Kampin Bazë, një Lama dhe dy sherpa kanë kryer ritualin budist të Pujas (Puxha) – duke i bekuar anëtarët e Ekspeditës së Kosovës për në Everest, Nazmi Hasanramaj dhe Arineta Mula.

Puja (Puxha), pra bekimi i ekspeditës në Kampin Bazë, e shënon fundin e fazës së shtegtimit “të lehtë” të ekspeditës dhe nisjen e fazës së ngjitjes malore.

Puxha është ceremoni të cilën e udhëheq Lama dhe dy apo më shumë sherpa që vendosen para altarit të bërë nga gurët.

Ata të cilët e kryejnë ritin i luten Zotëve që fati t’i përcjellë sherpat si dhe alpinistët në përpjekjen e tyre për ta arritur majën e malit. Para altarit, vendosen të mirat që i ofrohen Zotëve: një kulaç të quajtur Tsampa (ushqim tradicional nepalez); gjalpë buallice vendore që quhet Yak, llokume të fërguara, fruta, çokollata dhe pije.

Dëllinja (lloj pishe) rri ndezur gjatë gjithë kohës në një hapësirë të improvizuar te altari.

Gjatë ritit, të gjitha pajisjet esenciale – litarët dhe lidhëset, kramponat, sëpatat e akullit dhe helmetat, si dhe flamujt e ekspeditës -- bekohen.

Ndërkohë, flamujt e lutjeve shtrihen në gjerësi prej shumë metrash në disa drejtime.

Gjatë ceremonisë, sherpat këndojnë së bashku me Lamën dhe gjatë asaj kohe hedhin oriz në ajër. Më pas, sherpat e ngrehin një tra me degët e dëllinjës, dhe shihet si shenjë e fatit të mirë, po qe se shpendi i quajtur gorak (korb) mbështetet mbi tra.

Ceremonia përmbyllet kur pjesëmarrësit e ndajnë ushqimin mes vete, kurse në fund, alpinistët dhe sherpat e hedhin miellin e përhitur të tsampas në fytyrat e njëri-tjetrit – simbol i shpresës se do të jetojnë aq gjatë sa do të mundë të takohen sërish në pleqëri dhe kur t’i kenë flokët e thinjura.

Fjala pūjā (puxha) rrjedh nga sankritishtja dhe do të thotë: respekt, nderim, homazh, adhurim dhe besim. Pos indianëve (hindu), këto rituale i kryejnë edhe budistët, xhainistët dhe sikët.

Image

Image