Trajneri Gani Sejdiu ka deklaruar se Shqipëria i pati mundësitë e kufizuara në Euro 2024 për shkak të kombëtareve rivale, e sipas tij, skuadra tregoi lojë të mirë.
Sipas tij, Shqipëria e nisi mirë me Spanjën, por ritmi i ndeshjes ra.
“Në takimin e sotëm, realisht, pati vendosmëri për të fituar një lojë, por shumë shpejt pastaj ra ritmi i futbollistëve tanë. Duhet të pajtohemi që niveli ynë është i kufizuar, nëse e krahasojmë me kombëtaret e grupit. Edhe sot u shfaq realisht potenciali që kemi. Shumë raste, u pa defekti edhe individualisht si lojtar, edhe si ekip”, ka deklaruar Sejdiu në “Sporti Total” në KTV.
Sejdiu kritikoi kombëtaren për mungesën “e reagimit në kohë”, gjatë aksioneve ndaj spanjollëve. Sipas tij, po të shfrytëzoheshin disa prej momenteve, rezultati do të ishte ndryshe.
E trajneri Jusuf Tortoshi, është shprehur se kombëtarja shqiptare tregoi lojë të mirë, por skuadra luajti nën presion.
Për Tortoshin, Hysaj u kritikua pa nevojë për lëshimet në ndeshjet e kaluara, e sipas tij “largimi i kokës në ndeshjen ndaj Italisë ishte çështje sekondi”.
“Nuk mund një person të kritikohet aq shumë për atë gol, nuk ishte ai ndonjë gabim. Ishte inercioni. Sot nuk luajti, ka mundur të ishte edhe presioni dhe ra psikikisht”, ka thënë Tortoshi.