Euro 2024

Rekordet që u thyen në fazën grupore të “Euro 2024”

Nedim Bajrami

Foto: Associated Press

Përderisa kanë përfunduar ndeshjet e fazës grupore, mediumi spanjoll “Marca” ka bërë një shkrim ku ka përmbledhur gjitha rekordet që u thyen.

Lamine Yamal u bë futbollisti më i ri në histori të Kampionateve Evropiane me 16 vjet e 338 ditë, ndërsa selektori i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ishte trajneri më i ri në histori me 36 vjet e 327 ditë.

Futbollisti më i vjetër që ka shënuar gol në një Kampionat Evropian u bë Luka Modriq, mesfushori dhe kapiteni i Kroacisë. Ai realizoi gol me 38 vjet e 289 ditë.

Ndërkohë, më i vjetri që ka luajtur në Evropian është Pepe me 41 vjet e 117 ditë. Rekordi i Pepes mund të rritet edhe më shumë, varësisht prej paraqitjeve të Portugalisë.

Futbollisti që është paraqitur në më së shumti Kampionate Evropiane është Cristiano Ronaldo, me gjashtë gjithsej. Debutoi në vitin 2004.

Nuk mund të mungojë në këto statistika as Nedim Bajrami, futbollisti i Shqipërisë.

Bajrami me golin që e shënoi ndaj Italisë, hyri në histori me golin më të shpejtë në Kampionate Evropiane. Ai realizoi pas 23 sekondave.

Gjermania është skuadra e vetme që ka shënuar 5 gola në ndeshjen hapëse që prej Evropianit të vitit 1960.

Turku i talentuar i Real Madridit, Arda Guler, u bë shënuesi më i ri në moshë që realizon në debutim në Kampionatin Evropian, kurse Jude Bellingham është lojtari më i ri në moshë që paraqitet në dy Kampionate Evropiane, me 20 vjet e 353 ditë.

Tjetër statistikë interesante ishte ajo e Francisco Conceicaos. Francisco është i biri i Sergio Conceicaos. Që të dy janë realizator të të paktën një goli në një Evropian.