Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Euro 2020

Xhemaili thotë se Italia është ekipi më i mirë në “Euro 2020”

Ish-mesfushori i Zvicrës, Blerim Xhemaili insiston se Italia është ekipi më i mirë në “Euro 2020”. Në një intervistë për të përditshmen italiane “Gazzetta dello Sport”, ka shpjeguar se pse fitorja e Zvicrës ndaj Francës nuk e ka befasuar aspak. Mesfushori 35-vjeçar ka bërë disa vite karrierë në Serie A të Italisë, duke luajtur për ekipet si Torino, Parma, Napoli, Genoa e Bologna. Ai gjithashtu ka edhe 69 paraqitje me fanellën e Përfaqësueses së Zvicrës.

“Italia është ekipi më i mirë i turneut. Ata e kaluan 1/8 e finales ndryshe prej ekipeve tjera favorite”, ka thënë Xhemaili.

“Unë jam befasuar nga rritja e ekipit të Italisë. Ata nuk kanë lojtarë të jashtëzakonshëm si Francesco Totti apo Alessandro Del Piero, por të gjithë lojtarët po e japin më të mirën nga vetja. Ata po luajnë shumë mirë dhe kjo është merita e Roberto Mancinit”.

Xhemaili duket se ka mbetur më shumë i befasuar me zhvillimin e Përfaqësueses së Italisë sesa eliminimin e kampiones në fuqi të botës, Francës nga Zvicra në 1/8 e finales.

“Sigurisht, Franca ishte favorite për ta fituar turneun, por ata në asnjë ndeshje nuk treguan paraqitje bindëse. Kështu që, isha i bindur se Zvicra mund t’i befasonte ata”, u shpreh Xhemaili, i cili ka folur edhe për duelin e Zvicrës në çerekfinale kundër Spanjës.

“Jam kurioz të shoh se si Vladimir Petkoviq do ta zëvendësojë Granit Xhakan kundër Spanjës. Xhaka ka një personalitet të shkëlqyeshëm dhe shpresoj ta shoh duke luajtur në Itali sezonin e ri, sepse ai do të ishte një vlerë e shtuar për Serie A”.