Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Euro 2020

UEFA vlerëson VAR-in për rritjen e numrit të penalltive në “Euro 2020”

Pritet që arbitrat të vazhdojnë të akordojnë shumë penallti në turne të futbollit në epokën e sistemit VAR. Rishikimi i situatave përmes VAR-it ka ofruar më shumë penallti në ndeshje. Kjo u konfirmua në Kampionatin Evropian, ku numri i penalltive është rritur dukshëm. Për këtë kreu i arbitrave të UEFA-s dha miratimin e tij për vendimet e drejta gjatë ndeshjeve të fazës së grupeve, pas rishikimit që ua bëri të gjithë arbitrave.

Numrat e rekordeve në “Euro 2020” janë në trend me Kampionatin Botëror “Rusia 2018”, ku sistemi VAR apo ndihma e arbitrit me anë të video-xhirimit, u përdor për herë të parë në ngjarjen më të madhe të futbollit.

“Një nga pikat kryesore për këtë rritje të ndëshkimeve, natyrisht lidhet me zbatimin e sistemit VAR”, tha shefi i referimit i UEFA-s, Robert Rosetti, në një konferencë të martën.

14 penalltitë e dhëna deri më tani në “Euro 2020” në 36 ndeshje të luajtura në fazën e grupeve krahasohen me vetëm 13 penallti të dhëna në fazën e grupeve përgjatë tre turneve të fundit së bashku, në gjithsej 84 ndeshje. Totali i penalltive në “Euro 2020” përfshin pesë penallti që nuk u vërshëllyen fillimisht nga gjyqtari. Vendimet u morën pas kontrollimeve me ndihmën e monitorimit të videos në selinë e UEFA-s në Nyon, në Zvicër.

Ishte një histori e ngjashme në Kupën e fundit Botërore, ku FIFA nisi sistemin VAR. 24 penalltitë e dhëna në fazën e grupeve në Rusi pothuajse dyfishuan 13 në të gjithë turneun në Brazil katër vjet më parë.

Edhe VAR-i shënon fitore në “Euro 2020” me vendimmarrje të mprehtë dhe të shpejtë Sport VAR-i shënon fitore në “Euro 2020” me vendimmarrje të mprehtë dhe të shpejtë

Ndryshimi i madh nuk është në mënyrën se si po luhet loja, por për shkak të saktësisë së shtuar duke përdorur përsëritjet e videove për të zbuluar gabime që dikur iu shpëtuan zyrtarëve të ndeshjes, tha Rosetti.

“Para projektit VAR kishte shumë, shumë faulle në zonën e penalltisë të humbura nga gjyqtarët që nuk mund t’i shihnin”, tha Rosetti. “Tani është e pamundur të humbësh këto faulle”.

Një montazh i faulleve, “shkelja në këmbë”, u përfshi në videoklipet e incidenteve të zyrtarit italian.

Holanda dhe Spanja fituan penallti pas rishikimit të sistemit VAR. Në të dy rastet, futbollistët kishin shkelur këmbën e kundërshtarit brenda zonës. Tek Austria, shkaktar i penalltisë ndaj Holandës ishte mbrojtësi David Alaba, ndërsa te Polonia për penalltinë kundër Spanjës, fajtori ishte mesfushori Jakub Moder.

“Me VAR është shumë, shumë e lehtë për t'u vlerësuar”, tha Rosetti.

Rosetti, madje, do të kishte dashur të kishte parë një penallti më shumë të akorduar në fazën e grupeve të Evropianit. Ai tha se Italisë duhet t'i jepej një penallti në ndeshjen hapëse të turneut kundër Turqisë, për shkak të lojës me dorë. Sidoqoftë ai mbrojti vendimin për të mos i dhënë Francës një penallti të vonshme për shkak të ndërhyrjes nga prapa ndaj Kingsley Comanit në barazimin 2:2 me Portugalinë. Do të kishte qenë penalltia e katërt e lojës pasi Cristiano Ronaldo shndërroi dy dhe Karim Benzema një në atë takim.

Edhe Arbritrat përgëzohen për ndarjen e drejtësisë në “Euro 2020” Euro 2020 Arbritrat përgëzohen për ndarjen e drejtësisë në “Euro 2020”

“Neve nuk na pëlqejnë penalltitë e buta. Ne duam ndëshkime të qarta. Penalltia është diçka e rëndësishme në futboll, një moment serioz”, u shpreh Rosetti.

Një kuriozitet i mëtejshëm statistikor është rritja e penalltive pavarësisht nga një rënie e madhe e numrit të faulleve në përgjithësi. Rosetti tha se ishin dhënë 806 faulle deri më tani, krahasuar me 911 në “Euro 2016” në të njëjtin format me 36 ndeshje. Numri mesatar i 22.4 faulleve për ndeshje krahasohet në mënyrë të favorshme me mesataren e 37.7 në “Euro 2004”.