Me nofkën “Italia e Vogël” që nga viti 1950 kur shumë italianë u zhvendosën në Bedford për të punuar në industrinë e tullave, qyteti i Anglisë u bë një skenë gëzimi kur Përfaqësuesja e Italisë siguroi një vend në finalen e “Euro 2020” pas triumfit ndaj Spanjës në penallti.
Të shikosh Italinë të luante me Spanjën në gjysmëfinalen e Evropianit të martën mbrëma ishte “shumë shqetësuese”, thotë Joseph Lionetti.
Ai e shikoi ndeshjen nga shtëpia e tij në Bedford, ndërsa babai i tij, Liberato, e pa atë në shtëpinë e një shoku.

“Ne kemi një traditë”, thotë ai, “që ashtu si e fillon turneun, duhet edhe ta përfundosh. Kështu që, në çdo ndeshje që e ka luajtur Italia në Evropian i kam veshur rrobat e njëjta”.
Pasi Italia fitoi pas penalltive, 27-vjeçari dhe babai i tij, të cilët drejtojnë një kafene së bashku, u drejtuan për në sheshin “Embankment” të Bedfordit për t'u bashkuar në festimet e qytetit.
“Është një traditë e tillë që ne italianët në Bedford e bëjmë, hipim në makinat tona, dhe zbresim poshtë lumit dhe të gjithë festojmë së bashku, në mënyrë të sigurt”, zbulon Lionetti.
Ai thotë se të gjithë “thjesht këndonin dhe kalonin një kohë të mirë”, dhe nuk ishin vetëm italianët ata që iu gëzuan fitores së ekipit të Roberto Mancinit.
“Në Bedford, ne jemi mësuar të jemi kaq shumë kulturor dhe të ndryshëm, gjëra të tilla janë një festë e shkëlqyeshme. Natën e kaluar kishte kaq shumë etni të tjera atje, njerëz anglezë, pakistanezë, të gjithë ishin atje për të festuar me ne dhe kishte një atmosferë të mahnitshme”, thotë ai.
Përderisa Josephi që ka lindur në Britani thotë se nuk i intereson se kush do të jetë kundërshtari i Italisë në finale, babai i tij Liberato shpreson që Anglia të luajë në finalen e së dielës në “Wembley”. Sipas tij, përballja e Italisë dhe Anglisë në finalen e “Euro 2020” do të ishte një fitore e madhe për futbollin.
“Bedfordi është vendi për të qenë kur Italia luan futboll”

Silvana Bosco thotë se festimet në qytet të martën në mbrëmje ishin “thjesht elektrike”.
Punëtorja e një marketi ushqimor, e cila ka lindur në Bedford, por dy prindërit i ka italianë, ka thënë se të gjithë iu gëzuan pamasë triumfit të Italisë në gjysmëfinale ndaj Spanjës.
“Ne hipëm në makinat tona si një stil i vërtetë italian dhe zbritëm drejt lumit për të festuar”, shtoi Bosco. “Kishte muzikë, kishte daulle, unë e dua këtë festë që përbëhet nga familjet italiane, por edhe komunitetet e tjera të qytetit tonë”.
Ajo insiston se kur Përfaqësuesja e Italisë luan futboll, atëherë Bedfordi është vendi ku duhet të jesh.
“Për shkak se ne jemi një qytet kaq kulturor, natën e kaluar nuk ishin vetëm italianët ata që festuan, por edhe anglezët. Dhe, kjo e bëri festën edhe më të bukur”, shtoi Bosco.
Nëse Anglia do të kalonte në finale, do të ishte një “fitore e mirë” për të gjithë qytetin e Bedfordit, thotë zonja Bosco.
“Ne jetojmë këtu, ne punojmë këtu, dhe nëse Italia fiton do të jetë mahnitëse. Por, edhe nëse Anglia fiton, ne ende mund të festojmë. Pra, do të kemi një festë në të dyja rastet”, shtoi ajo.
“Fitorja e Italisë bashkon komunitetet tona”
Joe Saeed ishte në stadiumin “Wembley” ndërsa shikoi Italinë duke e eliminuar Spanjën pas penalltive në gjysmëfinalen e së martës.
Pronari i marketit ushqimor, i cili ka lindur në Angli, por prindërit e të cilit janë italianë, thotë se ishte “fantastike”.
“Kishte një atmosferë të shkëlqyer”, thotë ai. “Kam pasur një ditë kaq të shkëlqyeshme nga mëngjesi deri në mbrëmje”.
Ai gjithashtu thotë se fitorja e Italisë sjell përfitime për Bedfordin, ku ka rreth 14 mijë pasardhës të atyre që emigruan në vitet ‘50.
“Është shumë, shumë e mirë për Bedfordin fitorja e Italisë, sepse i bashkon të gjitha komunitetet”, tha ai.

Sabede, i cili mban një pasaportë italiane, insiston se do të jetë “elektrizuese” nëse Anglia kalon në finale për t’u përballur me Italinë. Megjithëse ai thotë se shpreson që qyteti nuk do të shohë një përsëritje të trazirave të mëparshme nëse të dyja ekipet takohen të dielën.
Në Kampionatin Botëror të vitit 1998, 41 persona u arrestuan në Bedford kur Anglia u eliminua nga Argjentina, dhe kishte dhunë në qytet kur Italia e mundi Anglinë me penallti në “Euro 2012”. Sido që të jetë, ai thotë se është “100 për qind për Italinë”.
“Unë kam besim se Italia do të marrë kupën këtë vit”, insistoi Sabede.
“Ndihesha sikur isha kthyer në shtëpi në Itali”
Mattia Cereda jeton në Angli tashmë katër vjet, kështu që të martën mbrëma për herë të parë, ai e përjetoi festimin e suksesit ndërkombëtar të futbollit të Italisë me kolegët italianë në Bedford.

Shefi i kuzhinës e shikoi ndeshjen në restorantin “Mamma Concetta”, ku ai punon, dhe posa Italia e konfirmoi fitoren ndaj Spanjës, ai u drejtua në shesh për të festuar me italianët e tjerë.
“Ishte hera e parë që unë kam qenë në shesh dhe pastaj te lumi për të shijuar festimet me të gjithë italianët e Bedfordit dhe ishte krejtësisht e mahnitshme. Më dukej sikur isha kthyer në shtëpi”, thotë 31-vjeçari.
Ai thotë se do të preferonte që Anglia të kalonte në finale për të luajtur me vendin e tij, të dielën mbrëma në stadiumin “Wembley”.
“Para fillimit të turneut, unë thashë se Italia dhe Anglia do të ishin në finale dhe jemi gati atje”, tha ai. Cereda, i cili do ta mbështesë plotësisht Italinë në finalen e Evropianit, thotë se nëse Anglia kalon në finale, do të jetë një natë dhe festë “e çmendur në Bedford”.