Kur Kampionati Evropian u pezullua vitin e kaluar, Marcus Rashford më shumë e kaloi kohën duke lobuar te Qeveria e Britanisë për varfërinë e fëmijëve, sesa duke luajtur për Anglinë.
Është bërë një vit nga kampanja që bindi kryeministrin Boris Johnson të bënte një kthesë dhe të siguronte ushqim për fëmijët në shkolla.
Që atëherë thirrjet për Johnsonin dhe ish-presidentin e SHBA-së, Barack Obama, janë bërë të njohura për Rashfordin që provonte të shënonte për Manchester Unitedin dhe Anglinë.
“Jam kënaqur duke folur me njerëz të tillë, duke mësuar nga ata dhe duke marrë çfarë kam mundur nga ato tregime”, ka thënë Rashford para ndeshjes së Anglisë kundër Skocisë, që zhvillohet në “Wembley” të premten nga ora 21:00.
“Unë vetëm mundohem t’i bëj gjërat në mënyrën më të mirë, kjo është themelore. Është e thjeshtë në kokën time, sepse e kam bërë këtë gjë në tërë jetën time. Nuk ka ndryshuar shumë në këtë çështje”.
Edhe
Maguire dëshiron që Rashford të mbetet tek Unitedi
Ai u bë model me ndikim shumë të madh në shoqëri me kampanjën e tij. Fokusi tani është që ta bëjë më të mirën për shtetin e tij, por në fushë – në Kampionatin Evropian të shtyrë për këtë vit.
As statusi si figurë nacionale nuk arriti t’ia sigurojë Rashfordit vendin e titullarit në ndeshjen hapëse në fitoren kundër Kroacisë. Rashfordi hyri në lojë si zëvendësues dhe e mbylli ballafaqimin me shiritin e kapitenit në krah, pas zëvendësimit të Harry Kanet.
Është shenjë e shumë opsioneve që i ka përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate. Rashfordi është vetëm ndihmesë, pavarësisht se i ka shënuar 21 gola në 57 paraqitje për Manchester Unitedin në sezonin e shkuar.
“Duhet të jesh profesionist për këtë”, tha Rashford në bazën stërvitore të Anglisë në “St. George’s Park”.
“Dëshiron ta luash çdo ndeshje, ky është reagimi në atë gjë. Nëse fillon të rrish i nevrikosur apo nëse nuk stërvit në mënyrë të duhur nuk ka efekt të mirë tek ekipi”.
Edhe
Pse gjërat shkuan keq për “shtatëshen” e Manchester Unitedit
23-vjeçari Rashford ka luajtur edhe me vështirësi, me dhimbje të krahut e të nyjës së këmbës këtë sezon.
“Ka një kohë të gjatë që nuk luaj pa gjërat të cilat mund të të ndalin në njëfarë mënyre”, tha Rashford. “Por është shtytja e fundit për këtë sezon”.
Një tjetër lojtar që ishte pjesë e skuadrës deri në gjysmëfinale të Kupës së Botës 2018 erdhi në kampin e Anglisë për “Euro 2020” me probleme fizike – bashkëlojtari i Rashfordit tek Unitedi, Harry Maguire.
Qendërmbrojtësi dëmtoi ligamentet në fillim të muajit maj, kur futbollisti i Aston Villas, Anwar El Ghazi, iu hodh sipër. Maguire kompletoi stërvitjet vetëm javën e kaluar, por ka thënë se është i gatshëm të luajë kundër Skocisë.
“Mendoj se gjatë karrierës në futboll, nëse nuk luan edhe me dhimbje, mund ta kalosh pjesën më të madhe të kohës jashtë fushës sesa që do të ishe në fushën e lojës”, ka thënë Maguire. “Mund të bësh sa të duash sesione rehabilituese, por nëse nuk luan në ndeshje garuese të futbollit nuk mund ta ndërtosh vetëbesimin, sidomos kur është në pyetje lëndimi i nyjës apo gjurit. Kështu që nuk ka të bëjë vetëm me stërvitje apo lojë në stërvitje. Kurdo që vijnë ndeshjet, edhe besimi nis të ngrihet”.
Edhe
Për Rashfordin mund të ketë përfunduar edicioni
Pas fitores ndaj Kroacisë, Anglia mund të marrë frymë më lirshëm në Grupin D, ndryshe prej vitit 1996 kur luajti kundër Skocisë për herën e fundit në një kampionat evropian – po ashtu në “Wembley” – pasi barazoi në ndeshjen hapëse.
Skocezët, që humbën nga Republika Çeke 2:0 të hënën, asnjëherë nuk kanë avancuar nga faza e grupeve në një turne të madh dhe kjo është hera e parë që prej Kupës së Botës 1998 që paraqiten. Shpresat e Skocisë në Londër mund të mbështeten në Kieran Tierneyn, nëse ai ia del të kthehet në mbrojtje, pasi mungoi në takimin hapës.