Euro 2020

Me penalltinë e humbur, Morata përmbyll një Evropian jo të lehtë për të

I kritikuar shumë, kërcënuar me jetë dhe më pas çuditërisht humbës i vendit të titullarit te Spanja, sulmuesi Alvaro Morata është përballur me të gjitha llojet e pengesave në Kampionatin Evropian. Me një gol, ai dukej se i kishte lënë të gjitha mënjanë. Morata u fut si rezervist në gjysmëfinalen e së martës mbrëma, vetëm disa sekonda pasi Federico Chiesa ia dha epërsinë Italisë në minutën e 60-të dhe shënoi golin e barazimit, që ishte i treti për të në “Euro 2020”. Vendi i tij në ekip duhej të ishte çimentuar menjëherë. Por, gjuajtja e penalltive që pasoi – aq shpesh një ngjarje që mund t’i shndërrojë lojtarët e shkëlqyeshëm në figura tragjike – bëri pikërisht këtë për Moratan.

Morata e dërgoi topin nga penalltia në anën e majtë të portierit italian Gianluigi Donnarumma, i cili e lexoi dhe nuk e lejoi të shkonte në rrjetë.

“Ky grup meritoi më shumë, shumë më tepër”, shkroi Morata në “Instagram”. “Si e gjithë Spanjës, ajo ishte gjithashtu ëndrra ime, ëndrra jonë. Mund të them vetëm se jam krenar që kam qenë pjesë e kësaj skuadre. Atyre që kanë besuar në ne, FALEMINDERIT! Futbolli mund të jetë shumë i vështirë herë pas here. Rroftë Spanja”.

Momente më vonë, Jorginho shënoi. Kjo ia dha Italisë një vend në finalen e së dielës që do të luhet në Londër, ndërsa Spanjës nuk i dha asgjë tjetër veç një udhëtimi të gjatë për t’u kthyer në shtëpi.

Morata kishte qenë titullar te Spanja në çdo ndeshje të Evropianit, deri në gjysmëfinalen ndaj Italisë, pavarësisht kritikave për shpërdorimin e rasteve të shumta para portës. Përzgjedhësi i Spanjës, Luis Enrique, insistoi se vendimi i tij për ta lënë Moratan në stol ndaj Italisë nuk kishte të bëjë me kritikat, por me një lëndim të vogël të sulmuesit të Juventusit.

“Morata kishte një dhimbje në muskulin e këmbës. Dhe kjo me të vërtetë thotë shumë për personalitetin e tij, që edhe përkundër kësaj ai donte ta merrte përsipër gjuajtjen e penalltisë”, tha Enrique. “Ai ka kaluar disa kohë të vështira në këtë turne, por ishte i shkëlqyeshëm. Ai me të vërtetë krijoi shumë pasiguri në zonën e italianë ve. Ai shënoi gol, kështu që ishte i shkëlqyeshëm”.

28-vjeçari Morata u largua menjëherë nga fusha pas penalltisë fituese të Jorginhos.

“Unë nuk kam qenë në gjendje të flas me të, sepse ai është dashur të shkojë në kontrollin e dopingut, por do ta bëj këtë pasi të qetësohet paksa situata”, shtoi Enrique.

Ishte hera e parë që Spanja kishte humbur në gjysmëfinale të një kampionati evropian ose kampionati botëror. Morata shënoi tri gola në gjashtë ndeshjet e tij në turne, por ishin dështimet e tij para portës ato që tërhoqën më shumë vëmendjen. Kjo përfshinte humbjen e një penalltie kundër Sllovakisë dhe një rast pothuajse të hapur kundër Polonisë, ndërsa ai u përpoq të shënonte pasi Gerard Moreno kishte goditur shtyllën nga penalltia. Morata nuk e gjuajti penalltinë ndaj Zvicrës në çerekfinale, pasi ishte zëvendësuar më herët. Në gjysmëfinalen kundër Italisë, Morata nuk ishte i vetmi lojtar i Spanjës që dështoi nga penalltia. Dani Olmo gjithashtu e humbi penalltinë, pasi gjuajti mbi portë. Ai këtë e bëri menjëherë pasi portieri i Spanjës, Unai Simon, e priti gjuajtjen e mesfushorit të Italisë, Manuel Locatelli.