Të luash në Evropian të futbollit është sukses për çdo lojtar. Vetëm më të mirët përzgjidhen nga përfaqësueset e tyre për ta prezantuar vendin në ngjarjen kryesore kontinentale. Në të vërtetë edhe paraqitja për përfaqësuese është sukses shumë i madh.
Por, është një grup elitë i lojtarëve që luan rregullisht dhe goxha gjatë për ekipin përfaqësueses. Dhe disa prej tyre do ta kemi rastin t’i shohim gjatë një muaji në “Euro 2020”.
Evropiani i futbollit nis të premten me ndeshjen Turqia – Italia, ndërsa sajti zyrtar i UEFA-s ka paraqitur lojtarët që kanë mbi 100 ndeshje për përfaqësueset e tyre.
Cristiano Ronaldo (175 ndeshje – Portugali)
Superylli Cristiano Ronaldo ka debutuar për Portugalinë në vitin 2003, ndërsa nuk po shfaq shenja se do të ulë ritmin. Ndonëse ishte lënduar në finale, triumfi në “Euro 2016” ishte kulmi i Ronaldos me përfaqësuese. Kush mund të harrojë përpjekjet e tij jashtë vijës anësore në finalen e Parisit? Ai tashmë ka kaluar shifrën prej 100 edhe me gola të realizuar për Portugalinë. Po i afrohet rekordit të jashtëzakonshëm që e mban Ali Daei për gola të shënuar me përfaqësuese. Iraniani Daei i ka 109 gola, ndërsa Ronaldo ka arritur në shifrën e 104 golave. “Euro 2020” mund të jetë arena ku Ronaldo do ta vendosë rekordin e veçantë.
Luka Modriq (138 ndeshje – Kroaci)
Shumë pritet prej Luka Modriqit, ndonëse Kroacia nuk ka shfaqur më të mirën në ndeshjet përgatitore. Por, Modriqi ishte në formë të lartë te Reali, ndërsa pritet që në skenën e madhe të shfaqë sërish mjeshtërinë që e karakterizon. Ai ka arritur kulmin me Kroacinë në vitin 2018, kur u paraqit në finale të Botërorit. Ishte shpallur lojtari më i mirë i atij viti.
Joah Moutinho (131 ndeshje – Portugali)
Pa shumë bujë, Moutinho jep kontribut të çmuar te Portugalia që nga viti 2005. Ndonëse 34-vjeçar, Moutinho mbetet lojtar i rëndësishëm për ekipin e selektorit Fernando Santos. Portugalia e mbushur me yje që po vijnë, pret shumë nga Ronaldo e Moutinho.
Sebastian Larsson (129 ndeshje – Suedi)
Zlatan Ibrahimoviq ka qenë më shpesh në ballina të gazetave. Shfaqja i ka takuar atij për më shumë se një dekadë. Por mesfushori dhe eksperti i goditjeve të dënimit, Sebastian Larsson, është dëshmuar model për konsistencë në ekipin përfaqësues. Dhe ka arritur në 129 ndeshje tashmë.
Jan Vertonghen (127 ndeshje – Belgjikë)
Një lojtar me ndikim të qëndrueshëm, Vertonghen, doli në skenë kur Belgjika ende vuante për t’u kualifikuar në turne të mëdhenj. Mbrojtësi i Benficas ka qenë shtyllë e rritjes së Belgjikës në futbollin ndërkombëtar, përkatësisht e daljes në skenë të gjeneratës së artë të këtij vendi. Belgjika e pret shpërthimin në “Euro 2020”. Natyrisht pritet kontribut nga Vertongheni.
Marek Hamshik (126 ndeshje – Sllovaki)
Pas një periudhe në Kinë, Hamshiku po lë gjurmën e tij në futbollin e Suedisë. Por 33-vjeçari do të mbahet në mend për periudhën te Napoli. Për skuadrën e famshme italiane ka luajtur mbi 500 ndeshje dhe ka shënuar 121 gola përgjatë 11 edicioneve. Te Sllovakia ende është lojtari kryesor dhe kapiten.
Hugo Lloris (125 ndeshje – Francë)
Lloris ishte kapiten i Francës prej vitit 2012. Ishte pranë që të udhëhiqte përfaqësuesen drejt shkëlqimit evropian pesë vjet më parë. Franca e fitoi Botërorin në vitin 2018 dhe tani llogaritet pretenduese për titull evropian. Natyrisht duke u mbështetur edhe në përvojën e Llorisit.
Sergio Busquets (123 ndeshje – Spanjë)
Mesfushori Busquets së fundi është infektuar me koronavirus dhe situata e tij është komplikuar. Por ai vazhdon të jetë pjesë e Spanjës dhe të vlerësohet lart. Busquetsi ka dalë në skenë te Spanja menjëherë pas triumfit të përfaqësueses në “Euro 2008”. Prej atëherë ishte vazhdimisht prej emrave të parë në listë. Është një lojtar që ka ridefinuar pozitën e tij në fushë dhe cilësitë e të cilit nuk kontestohen asnjëherë.
Lista vazhdon me Goran Pandevin (119 ndeshje për Maqedoninë e Veriut), Robert Lewandowskin (119 ndeshje për Poloninë), Pepen (115 për Portugalinë), Axel Witselin (110 për Belgjikën), Toby Alderweireldin (109 për Belgjikën), Christian Eriksenin (108 për Danimarkën), Olivier Giroudin (108 për Francën), Giorgio Chiellinin (107 për Italinë), Simon Kjaerin (107 për Danimarkën), Eden Hazardin (107 për Belgjikën), Yuri Zhirkovin (104 për Rusinë), Leonardo Bonuccin (102 për Italinë), Toni Kroos (102 për Gjermaninë), Thomas Mueller (102 për Gjermaninë), Chris Gunterin (101 për Uellsin), Peter Pekarikun (101 për Sllovakinë), Ivan Perishiqin (101 për Kroacinë) dhe Manuel Neuerin (100 për Gjermaninë).