Euro 2020

Heroi i Belgjikës del nga hija e vëllait

Heroi i Përfaqësueses së Belgjikës, Thorgen Hazard, doli nga hija e vëllait Eden me golin e fitores që e shënoi kundër Portugalisë në Sevilla të dielën mbrëma, duke i siguruar ekipit të tij një vend në çerekfinale të Kampionatit Evropian.

Mesfushori që bën karrierë në Bundesligë shënoi një gol fantastik nga distanca falë një goditjeje të shpejtë, ku topi lëvizi majtas dhe pastaj djathtas përmes ajrit, përpara se të përplaset në rrjetë për të siguruar fitoren e Belgjikës në 1/8 e finales të “Euro 2020” në njërën anë, dhe në tjetrën eliminimin e kampiones në fuqi, Portugalisë.

I pari që e uroi Thorgenin për golin e vetëm të ndeshjes, ishte vëllai i madh Edeni, kapiteni belg, i cili nuk arriti ta përfundojë ndeshjen, pasi u detyrua të zëvendësohej në fund të ndeshjes për shkak të dhimbjes në muskulin e kofshës së djathtë. Thorgen po shpreson që vëllai i tij, Edeni të mos ketë ndonjë dëmtim serioz dhe të jetë i gatshëm për ndeshjen çerekfinale. Ai ka pranuar se ndihet shumë më i qetë kur luan përkrah Edenit, i cili është më i madh dhe vlerësohet ndër më të mirët në Evropë në rolin e tij.

“Unë mendoj se duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë me Edenin, pasi kjo ka më shumë rëndësi për mua”, tha Thorgeni, i cili pastaj foli edhe për golin e vetëm të ndeshjes ndaj Portugalisë. “Duke gjykuar nga numri i mesazheve që kam pasur në celularin tim, mendoj se ky ishte goli më i rëndësishëm në karrierën time. Natyrisht që ndihem krenar dhe shumë i lumtur”.

Për Thorgenin, ky ishte goli i dytë në “Euro 2020”. Ai golin e parë në këtë turne e realizoi në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve, në fitoren e ngushtë kundër Danimarkës (2:1). Tani, Thorgeni ka shënuar në total tetë gola për Belgjikën në 38 paraqitje ndërkombëtare.

“Nuk ishte aspak lehtë kundër kampionit të Evropës. Ishte e vështirë, sidomos në pjesën e dytë, por ne u mbrojtëm mirë dhe arritëm të kualifikohemi tutje. Dhe, për mua kjo është gjëja më e rëndësishme”, pranoi Thorgeni. “Ishte një lojë e komplikuar. Të dy skuadrat po prisnin për gabimet e njëra-tjetrës. Ne u mbrojtëm shumë mirë, edhe ishim pak me fat, duhet ta pranojmë. Gjithashtu, edhe Thibaut Courtoisi bëri disa pritje në momentet vendimtare”.

Pas kalimit në çerekfinale, Thorgeni zbuloi se te Belgjika po mendojnë për ndeshjen e radhës, çerekfinalen kundër Përfaqësueses së Italisë. Ai pranoi se nuk do të jetë aspak ndeshje e lehtë, pasi shtoi se italianët kanë një ekip të fortë dhe kanë treguar paraqitje të mira në “Euro 2020”. Belgjika tashmë është kthyer në kampin stërvitore në Tubize të Belgjikës dhe të martën do t’i filloj stërvitjet anti-Itali.

“Ne jemi shumë të lumtur me këtë kualifikim, por synimi ynë është që të shkojmë edhe më larg. Ne do të pushojmë pak para se të mendojmë për hapin tjetër”, shtoi Hazard. “Na pret një punë e vështirë, por jam optimist. Shpresoj ta ndihmoj ekipin sikurse ndaj Portugalisë. Mund të bëjmë punë të madhe në këtë Evropian dhe jam optimist për këtë”.

Ndeshja çerekfinale ndërmjet Belgjikës dhe Italisë do të zhvillohet të premten, prej orës 21:00 në stadiumin “Allianz Arena”, në Munich.

Belgjika tjetër do të përballet me Italinë në Mynih të premten.