Gjermania është vendosur në kampin bazë para “Euro 2020”. I inspiruar nga lokacioni që e patën në Brazil për Kupën e Botës 2014, menaxheri i ekipit, Oliver Bierhoff, dëshiron që shpirti i vendndodhjes të ketë jehonë.
Qyteti i vogël i Herzogenaurach do të ishte i panjohur po të mos ishin kompanitë “Adidas” dhe “Puma”. Pjesa e famshme e vëllezërve Dassler u bë edhe vendlindja e dy kompanive të njohura dhe që të dyja ende i kanë selitë qendrore në qytetin bavarez.
Këtu është vendi që Gjermania do ta quajë shtëpi për disa javë gjatë Kampionatit Evropian. Edhe kampi bazë i gjermanëve do të quhet ashtu, “Home Ground”.
Slogani kryesor i kompanisë së veshmbathjeve “Adidas” është i shkruar në pjesën e jashtme të këtij ndërtimi: “E pamundur nuk është asgjë”. Shpresa e tifozëve për t’i shikuar ose takuar heronjtë e tyre sportivë mund të manifestohet në mënyra të ndryshme. Por ekipi është i fshehur thellë në selinë qendrore të “Adidasit”. Gardhe të larta përreth kompleksit e kanë krijuar një lloj izolimi.
Lojtarët testohen për Covid-19 çdo ditë dhe gazetarët po ashtu duhet të kenë test negativ para se të hedhin hapin brenda.
“Ne jemi mjaft të mbyllur, por në turne jeni në një tunel”, ka thënë menaxheri Oliver Bierhoff. “Është gjë e mirë që e kemi këtë përqendrim dhe rrallëherë jemi të shpërqendruar. E shoh perspektivën e tunelit si gjë pozitive”.
Ka një atmosferë të “Campo Bahia”, që ishte kampi bazë i Gjermanisë në vitin 2014. Mungojnë rëra e plazhet, por qendra është e mbushur me pemë, drunj dhe dritare të mëdha.
“Kemi shumë natyrë përreth dhe qetësi të konsiderueshme”, thotë Bierhoff nga kampi. “Dëshirojmë të ngjallim shpirt, frymëzim”, nënvizon 53-vjeçari. “Shpirtin e Herzogenaurachut”.
Ilkay Gundogan i ka quajtur fantastike këto objekte.
Bierhoff është inspiruar nga modeli që është punuar në Brazil dhe dëshiron që ta rifitojë konceptin e ndjesisë së komunitetit. Udhëtimet e shkurtra, përdorimet e restoranteve apo edhe pjesëve relaksuese, e bëjnë ndryshimin e zhvillimit të ekipit. Krijimi i një vendi të tillë në zemër të qytetit është lëvizje e mençur.
Nga lart, tri shtëpitë dhe 15 apartamentet duken sikur kube akulli të lidhura me drita Krishtlindjesh. Lojtarët janë të ndarë në katër grupe, ata me eksperiencë të përzier me yje të reja. Toni Kroos ndan hapësirën me Mathias Ginterin, si dhe me fytyrat e reja, si Florian Neuhaus dhe Christian Guenter, ndërsa kapiteni Manuel Neuer është së bashku me Jamal Musialan, Jonas Hofmannin dhe Lukas Klostermann.
ka thënë se dëshiron që t’i përdorë këto ndërtesa të porsandërtuara, pas garës, për punonjësit dhe mysafirët e jashtëm.
Pjesa tjetër e kampit përfshin ndërtime të cilat janë të zakonshme për ekipe të mëdha ndërkombëtare në ngjarje të mëdha. Ka pishinë dhe një arenë të tenisit, që është bërë me kërkesën e kapitenit Manuel Neuer. Videolojërat mund të luhen, por duket se letrat dhe lojërat e tjera kanë marrë më shumë pëlqim.
Arena e stërvitjeve është e nivelit të kompleksit “World of Sports”, që po ashtu është e mbushur me plot ndërtime luksoze, që u ofrohen lojtarëve më të mirë në shtet para një ngjarjeje të rëndësishme. Stërvitjet do të kryhen në stadiumin “Adi-Dassler”.
Kampet bazë nuk fitojnë turne, por kampet e gabuara pa dyshim që mund të kontribuojnë në një muaj jo të suksesshëm, njësoj si koha e Gjermanisë që u izolua në Vatutinki të Rusisë, në vitin 2018. Bierhoffi dhe stafi tjetër i skuadrës shpresojnë që ta shijojnë më shumë këtë kamp sesa atë të fundit.