Euro 2020

Futbollistët e Atalantas po e përsërisin formën e klubit në “Euro 2020”

Skuadra e Atalantas ka tejkaluar pritjet në Serie A të Italisë. Ndërsa një gjë të tillë e kanë bërë edhe futbollistët e klubit italian në Kampionatin Evropian. Klubi nga qyteti i vogël verior i Italisë, Bergamo, është shndërruar në një forcë me mendje sulmuese nga trajneri Gian Piero Gasperini, dhe lojtarët e tij po punojnë po aq shumë për përfaqësueset e tyre në “Euro 2020”.

“Patjetër, që për këtë duhet ta falënderojmë z. Gasperinin. Ai ka pasur ndikim të madh në këtë aspekt dhe këto cilësi duket se kanë mbetur tek unë, falë sistemit të lojës te Atalanta”, tha Robin Goses, i cili ka shënuar një gol për Gjermaninë kundër Portugalisë në fazën e grupeve. “Unë kam qenë te Atalanta për katër vjet dhe jam mishëruar me sistemin e lojës. Unë jam dikush që më pëlqen të marr pjesë në lojë sulmuese dhe gjithashtu kam dinamizëm dhe kohë për të shënuar gola”.

Gosens nuk është lojtari i vetëm i Atalantas që po shkëlqen në Evropian. Matteo Pessina ka shënuar dy gola për Italinë, ashtu si edhe Joakim Maehle për Danimarkën. Të dy këta lojtarë tashmë janë kualifikuar në çerekfinale të “Euro 2020” me ekipet e tyre. Lojtarët e tjerë të Atalanta që kanë shënuar deri më tani në “Euro 2020” janë mesfushori i Kroacisë, Mario Pashaliq, dhe sulmuesi i Rusisë, Aleksei Miranchuk. Dhe goli i Pashaliqit ishte njëri prej më të mirëve në këtë turne. Ai shënoi në kohën shtesë të hënën për të barazuar rezultatin 3:3 në ndeshjen mes Kroacisë dhe Spanjës, që shkoi në vazhdime. Megjithatë, Spanja e fitoi ndeshjen me shifrat 5:3 dhe Kroacia u eliminua nga Evropiani. Pesë golashënuesit e Atalantas në “Euro 2020” e bëjnë klubin me më së shumti lojtarë të ndryshëm që e kanë gjetur rrjetën në turne. Ata gjithashtu kanë barazuar rekordin për këtë në historinë e turneut përkrah Anderlechtit në vitin 1984, Barcelonas në vitin 2000 dhe Real Madridit në vitin 2012. Kjo arritje nuk është aspak e keqe për një klub që dikur luante midis dy dizioneve të para të Italisë, por edicioni i ardhshëm, do të jetë i treti për Atalantan që do të paraqitet në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Mbrojtësi i Italisë, Rafael Toloi dhe mesfushori i Holandës, Marten de Roon janë lojtarët e vetëm të Atalantas që nuk kanë shënuar gol në “Euro 2020”. Në fakt, Toloi mund të realizojë gol, pasi të premten Italia përballet me Belgjikën në ndeshjen çerekfinale që do të luhet në Munich. Njëkohësisht, paraqitja e mirë e lojtarëve të Atalantas në Evropian mund ta dobësojë ekipin italian pas përfundimit të këtij turneu. Në fakt, Gosens është bërë tashmë i njohur dhe po kërkohet me ngulm nga të gjitha skuadrat e mëdha të Evropës. Ai shkëlqeu sezonin e shkuar te Atalanta, me 11 gola në Serie A.

“Drejtori sportiv i Atalantas tashmë më ka shkruar dhe më ka shprehur urimet e tij”, tha 26-vjeçari Gosens pasi u emërua lojtari i ndeshjes kundër Portugalisë. “Mendoj se ata janë thjesht të lumtur për mua tani dhe krenarë që kam pasur paraqitje të mira në Kampionatin Evropian. Sigurisht që ndodh që të përfundoj në radarin e ekipeve të tjera përmes paraqitjeve në Evropian, por vendimin për të ardhmen time do ta marr pas përfundimit të këtij turneu”.