Ish-portieri i Italisë, Walter Zenga, ka lavdëruar Gianluigi Donnarumman, duke thënë se ai është njëri prej pesë liderëve te azurët.
Ish-portieri i Milanit, Donnarumma, largohet nga Serie A pas “Euro 2020”, ndërsa pritet ta kompletojë transferimin te Paris Saing-Germaini në Ligue 1.
Zenga, një prej emrave më të njohur të futbollit italian, është i mahnitur se si Donnarumma është përballur me situatën. Ka thënë se ndonëse në moshë të re, Donnarumma po shfaq shenja të portierit me përvojë.
“Edhe unë do të mund të luaja në tri ndeshjet e para”, ka thënë Zenga duke u tallur, për “La Gazzetta Dello Sport”.
“Më pas, ashtu si e njoh atë – një djalosh që e di çka do nga jeta dhe që lë gjithçka anash. Edhe çështjen Milan – PSG”.
Mbrojtja e Italisë është lavdëruar për paraqitjen në “Euro 2020”. Italia tani po bëhet gati për gjysmëfinalen e së martës ndaj Spanjës.
“Italia ka pesë liderë. Dy karizmatikët, Bonnucci e Chiellini, liderin taktik, që është Jorginho dhe atë imagjinar, Insignen. Dhe më pas liderin e qetësisë, Gigion, pasi ai ofron siguri për të gjithë. Ai ofroi ndjenjën e besueshmërisë më të madhe”, ka theksuar Zenga.
Donnarumma ka krijuar përvojë në moshë të re, dhe sipas Zengas ky është avantazh.
“Për dallim nga unë, që kam debutuar në Serie A me 23 vjet, ai ka avantazh të madh. Është 22-vjeçar dhe i ka mbi 200 ndeshje me Milanin. Ai ka luajtur për kupa, po luan si startues në Evropian dhe do të luajë për PSG-në”, ka thënë Zenga.