Pritja e gjatë dhe e dhimbshme e Anglisë për një finale të dytë në një turne të madh futbolli ka marrë fund. 55 vjet më parë anglezët e shijuan momentin më të mirë në futboll, duke triumfuar në Kampionatin Botëror, turne ky që ishte organizuar në Angli. Që nga ajo kohë, përzgjedhës janë punësuar dhe shkarkuar, ndeshje janë fituar dhe humbur, por synimet për një tjetër finale në një turne të madh gjithmonë kanë përfunduar me dështim deri në ardhjen e Gareth Southgatet dhe ekipit të tij në “Euro 2020”.
Tani që pritja ka marrë fund, Anglia po shpreson që të triumfojë të dielën mbrëma në finalen kundër Italisë në stadiumin “Wembley”. Për Anglinë, kjo është finalja e parë në një Kampionat Evropian, ndërsa e dyta e madhe që nga triumfi në Kampionatin Botëror të vitit 1966.
Historia e zhgënjimeve
Paraqitja e Anglisë në finalen e Botërorit 1966 u prit me gëzim. Ndërsa pritjet për një përsëritje të suksesit asnjëherë nuk u arritën në 54 vjetët e ardhshëm, dekadat kanë dhënë kryesisht zemërim dhe poshtërim te tifozët anglezë. Që nga triumfi në atë Botëror, Anglia ka arritur në fazat e nokautit të turneve zyrtarë të UEFA-s dhe FIFA-s 14 herë nga 28 herët e mundshme. Nëse bëhet një krahasim me Gjermaninë që e mposhti në finalen e vitit 1966, atëherë del se gjermanët janë më të suksesshëm sa u përket paraqitjeve në turne të mëdhenj, gjithsej 20 herë në fazën nokaut që nga ajo kohë. Disa prej zhgënjimeve dhe vuajtjeve të mëdha të tifozëve anglezë përfshijnë golin me volej të Gerd Muellerit në Meksikë në vitin 1970, “Dorën e Zotit” të Diego Maradonas në të njëjtin shtet në vitin 1986, dhimbjen e humbjeve në penallti nga Gjermania në vitin 1990 dhe 1996, lëndimin e Wayne Rooneyt në vitin 2004, përjashtimin e tij në vitin 2006, si dhe golin e anuluar të Frank Lampardit në vitin 2010.
Portugalia dhe Gjermania shtuan dhimbjen
Në total, Anglia ka luajtur 302 ndeshje zyrtare në turnetë e UEFA-s dhe FIFA-s që nga Botërori i vitit 1966. Kjo përfshin 27.570 minuta lojë, në një ndjekje të një finaleje tjetër. Kundërshtari më i zakonshëm i Anglisë gjatë përpjekjes së saj për të arritur një finale tjetër ka qenë Polonia, me 18 ndeshje të luajtura, 11 prej të cilave i kanë fituar anglezët. Megjithatë, ndeshja më e famshme është barazimi 1:1 në “Wembley”, kur pritjet heroike të portierit polak Jan Tomaszewski shuan shpresat e Anglisë për t'u kualifikuar në Botërorin e vitit 1974. Anglia ka bilanc 100 për qind ndaj një numri vendesh, kryesisht ato me të cilat përballet në kualifikime, por bilanci më i mirë është kundër San Marinos së vogël, që e ka mposhtur shtatë herë, duke shënuar 42 gola dhe pranuar vetëm një. Bilanci më i keq i Anglisë ndaj cilitdo kundërshtar në ndeshjet zyrtare që nga viti 1966 është me Portugalinë, që ishte përgjegjëse për eliminimin e saj nga “Euro 2004” dhe nga Botërori i vitit 2006, pas penalltive.
Portugalia është gjithashtu përgjegjëse për shkaktimin e dhimbjeve më të mëdha ndaj Anglisë në fazën finale të turneve, duke i mundur ata katër herë. Të njëjtin numër fitoresh ndaj Anglisë e ka edhe Gjermania.
Southgate, përzgjedhësi i duhur
Sir Alf Ramsay, që i dha Kupën e Botës në vitin 1966, është një nga 14 përzgjedhësit e Anglisë që kanë qenë në krye të ekipit pas momentit më të madh të futbollit anglez. Sven-Goran Eriksson, i cili udhëhoqi Anglinë në tri çerekfinale midis viteve 2002 dhe 2006, ka përqindjen më të lartë të fitoreve në ndeshjet zyrtare që prej finales së vitit 1966. Fabio Capello është pak prapa, por bilanci i italianit rritet nga një kampanjë kualifikuese pa humbje në Botërorin e vitit 2010, që përfundoi me eliminim në 1/8 e finales nga Gjermania. Përzgjedhësi aktual i Anglisë, Gareth Southgate, ka një rrugëtim pozitiv dhe është i vetmi në listë që e çon vendin në tri gjysmëfinale (Kampionatin Botëror, Ligën e Kombeve dhe Kampionatin Evropian). Southgate tani është barazuar me Ramsayn si trajneri i vetëm që e ka udhëhequr Anglinë në një finale të madhe. Southgate ka mbikëqyrur 24,32 për qind të fitoreve të Anglisë në ndeshjet e UEFA-s dhe FIFA-s, që nga turneu i vitit 1966. Ai është gjithashtu i vetmi njeri që mundi Gjermaninë në një raund nokaut në një turne të madh që nga Ramsay.
Ndeshjet, golat dhe kilometrat
Më shumë se 300 lojtarë janë paraqitur për Anglinë që nga Botërori i vitit 1966, duke u përpjekur të ndihmojnë vendin e tyre të arrijë një finale tjetër të madhe. Wayne Rooney është lojtari që ka luajtur më së shumti ndeshje zyrtare në ndjekje të këtij qëllimi, me 74 paraqitje. Megjithatë, ai përtej çerekfinaleve nuk arriti ta dërgonte Anglinë. Anëtarët e tjerë të së ashtuquajturës “Gjeneratë e Artë” - Steven Gerrard, Ashley Cole dhe David Beckham - nuk janë shumë mbrapa, së bashku me rekordmenin e paraqitjeve të të gjitha kohërave të Anglisë, portierin Peter Shilton. Shilton, që arriti deri në gjysmëfinalen e Botërorit të vitit 1990, ka 125 ndeshje të luajtura. Si golashënuesi kryesor i të gjitha kohërave të vendit të tij, nuk është çudi të shohësh Rooneyn në krye të kësaj liste për gola konkurrues të shënuar që nga viti 1966. Ai ka realizuar 53 gola në të gjitha ndeshjet, 120 sosh, përfshirë edhe miqësoret. Harry Kane, që e shënoi golin e fitores në gjysmëfinalen kundër Danimarkës, e ka barazuar rekordin me Gary Linekerin si golashënuesi më i mirë i Anglisë në turne të mëdhenj, me dhjetë gola.
Anglia ka udhëtuar më shumë se 220 mijë kilometra dhe ka luajtur në 52 vende në katër kontinente qëkur Bobby Moore e ngriti trofeun në vitin 1966. Kjo përfshin udhëtime në Meksikë, Japoni, Afrikë të Jugut dhe Brazil për Kampionatet Botërore. Megjithatë, e gjithë kjo vuajtje dhe pritje e gjatë mund të marrin fund nëse Anglia triumfon në finalen e “Euro 2020”, që zhvillohet të dielën mbrëma në “Wembley” prej orës 21:00. Në finale Anglia do të përballet me Italinë.