Euro 2020

Futbolli sulmues i Italisë ngec paksa

Sulmi impresiv e i pazakontë i Italisë në Kampionatin Evropian të këtij viti zgjati deri në duelin kundër Austrisë.

Kjo nuk i ndali italianët, por i bëri të duken të mposhtshëm pas tri fitoreve të shkëlqyeshme rresht në fazën e grupeve në “Euro 2020”.

“E kemi ditur se do të kishte potencialisht vështirësi në këtë ndeshje dhe kemi menduar se mund të jetë edhe më e vështirë se çerekfinalja”, ka thënë përzgjedhësi i Italisë, Roberto Mancini. “Natyrisht se Austria nuk është aq e mirë sa ekipi që do ta takojmë në raundin tjetër, por austriakët na kanë vështirësuar punët shumë”.

Italia arriti që më në fund ta thyejë mbrojtjen e çeliktë të Austrisë në kohën shtesë, të shtunën në “Wembley Stadium”, duke fituar 2:1 me golat e Federico Chiesas dhe Matteo Pessinas, për ta siguruar kalimin në çerekfinale.

“E dinim se po të shënonim në pjesën e parë do të ishte ndeshje ndryshe, por ne nuk arritëm ta bënim një gjë të tillë dhe u desh të ishim kërkues. Por, lojtarët me të vërtetë dëshiruan të fitonin me çdo kusht”, theksoi Mancini. “Një ndeshje e tillë si kjo mund të na bëjë mirë”.

Italia është transformuar në një ekip me mendje te sulmi qëkur Mancini e mori drejtimin e skuadrës pas dështimit për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2018, ndonëse mbrojtësi Leonardo Bonucci ka thënë se ishin të gatshëm ta harronin lojën e bukur për të marrë rezultat pozitiv.

Gjithçka shkoi mirë në fillim kundër Austrisë. Ciro Immobile e qëlloi shtyllën në pjesën e parë. Por, edhe Italia kishte fat. Sistemi VAR ua anuloi një gol austriakëve dhe një tjetër vërshëllimë e gjyqtarit ka mundur t’i jepte Austrisë penallti pas një ndërhyrjeje të Pessinas.

Për Mancinin, megjithatë, sulmi i Italisë ka punuar mirë, lojtarët e tij vetëm nuk e shtynë topin në rrjetë.

“Mendoj se kishim 26 gjuajtje në portë, nuk është se i kishim dy”, tha Mancini. “Ndoshta nuk ishim të saktë sa duhej dhe mendoj se u desh të luftonim dhe lojtarët ishin të jashtëzakonshëm. Pavarësisht faktit se Austria u konsiderua kundërshtare e lehtë nga shumë njerëz, ajo nuk u duk e lehtë dhe na shkaktoi probleme, sepse nuk na lejoi të luanim futboll. Lojtarët e Austrisë bëjnë presion dhe mbrohen mirë”.

Me fitore, Italia vendosi rekord prej 31 ndeshjeve pa humbje si dhe rekord prej 12 fitoreve të njëpasnjëshme. “Azurët” vendosën po ashtu rekord me 1168 minuta pa pranuar gol në nivel përfaqësuesesh. Kjo seri pozitive përfundoi kur Sasha Kalajgjiq shënoi gol për Austrinë.

Italia çerekfinalen do ta zhvillojë të premten në Mynih të Gjermanisë.