Euro 2020

Suedezët po kënaqen me rolin e autsajderit

Descriptive Text

Me disa minuta të mbetur në ndeshjen kaotike të Kampionatit Evropian ndërmjet Suedisë dhe Polonisë, përzgjedhësi suedez Janne Andersson vendosi të argëtohej në zonën teknike. Trajneri i Suedisë e pa një anëtar të stafit të dhomës së pasme të Polonisë, Jakub Kwiatkowskin, duke u përpjekur për ta marrë topin që nuk ishte në lojë. Mirëpo, topi shkoi i pari tek Anderssoni. Ndërsa Kwiatkowski u përball me të, Andersson futi topin midis këmbëve të homologut të tij dhe i buzëqeshi.

“Unë ia futa topin mes këmbëve”, tha Andersson, duke përdorur një term klasik suedez për një lëvizje të tillë në futboll. “Ai u mërzit, por unë isha i lumtur me tunelin. Unë nuk e bëra atë gjë për ta tallur atë. Ai erdhi dhe ndodhi që unë ta dërgoja topin midis këmbëve të tij. ”

Sa për shkëlqimin në fushë, mund të thuhet se Suedisë i ka munguar një gjë e tillë në “Euro 2020”. Dhe këtë e pranon edhe vetë përzgjedhësi Andersson.

Suedia, një nga skuadrat më pragmatike – disa mund të thonë të mërzitshme – është në fazën e nokautit të një turneu të madh edhe një herë. Dhe, si në Kupën e Botës të vitit 2018, ekipi e ka bërë këtë duke kryesuar grupin e tij.

Një barazim 0:0 ndaj një ekipi të Spanjës, që kishte 85 për qind të zotërimit të topit, u pasua nga një fitore e përgjumur 1:0 ndaj Sllovakisë. Fitorja 3:2 ndaj Polonisë të mërkurën mbrëma mund të thuhet se ishte me të vërtetë shumë argëtuese, por polakët u detyruan të sulmonin me të gjitha forcat, duke pasur parasysh se vetëm fitorja do t’i kualifikonte përtej fazës së grupeve.

Suedia ishte e pamëshirshme në fitoren ndaj Polonisë, duke shënuar tri herë nga katër gjuajtjet e saj në portë, por ekipi nuk dukej aq rehat në një lojë të tillë. Akoma, ekipi i Anderssonit tani është i pamposhtur në tetë ndeshje në vitin 2021, duke fituar shtatë prej tyre dhe duke mbajtur gjashtë herë portën e paprekur gjatë kësaj periudhe.

“Njerëzit vazhdojnë të na nënvlerësojnë”, tha mesfushori Viktor Claesson, i cili shënoi golin e fitores ndaj Polonisë në kohën shtesë. “Ne e fituam grupin tonë në Kupën e Botës dhe tani në Kampionatin Evropian. Askush nuk besonte se do të mundeshim”.

Mund të jetë koha e duhur për ta marrë Suedinë seriozisht dhe Ukraina – kundërshtari i saj në 1/8 e finales që luhet të martën në Glasgoq – mund të presë vetëm një lojë të vështirë.

“Unë besoj se skuadrat mendojnë se jemi kundërshtarë shumë të vështirë. Dhe për këtë kanë të drejtë, pasi edhe unë mendoj se është vështirë të luajnë kundër nesh”, pranoi Anderssoni.

Ky është stili i Anderssonit. Mbi të gjitha, ai është një dishepull i sistemit 4-4-2 të futur dhe të ngulitur në futbollin suedez nga trajnerët anglezë Bob Houghton dhe Roy Hodgson në vitet 1970 dhe 1980.

Dy rreshta të zellshëm me nga katër lojtarë, plus dy sulmues që vrapojnë vazhdimisht dhe shijojnë lojën në ajër.

Ekipi aktual i Anderssonit – i cili është pa Zlatan Ibrahimoviqin në “Euro 2020” për shkak të lëndimit – ka disa lojtarë sulmues që krijojnë shumë raste, siç janë Alexander Isak dhe Dejan Kulusevski. Por, baza e një ekipi kombëtar tipik suedez është mesfusha, veçanërisht në mesfushorin e krahut të djathtë Sebastian Larsson dhe çiftin e qendrës Kristoffer Olssson e Albin Ekdal. Andersson e di që ka disa kundërshtarë me cilësi më të mirë se suedezët në këtë turne, por të paktë janë ata që kanë punën ekipore, disiplinën dhe organizimin e Suedisë.

“Pavarësisht se çfarë bëj, dikush gjithmonë do të ketë një mendim për mua”, tha Larsson, 36-vjeçar. “Vendosa shumë kohë më parë se nuk do të kujdesesha për mendimet e njerëzve të tjerë. Ne duhet të përqendrohemi në atë që po bëjmë dhe në atë që duam ta bëjmë”.

Suedia llogaritet favorite përballë Ukrainës në 1/8 e finales dhe një fitore do ta shihte ekipin e Anderssonit ta përsëriste arritjen e vitit 2018, kur arriti në çerekfinale të Botërorit përpara se të humbte ndaj Anglisë. Dhe, siç do ta dëshironte fati, Anglia mund të jetë përsëri një kundërshtare e Suedisë në çerekfinale, natyrisht nëse e mposht Gjermaninë në 1/8 e finales.

Tani për tani gjithçka ka të bëjë me pushimin dhe rimëkëmbjen e ekipit suedez pas fitores ndaj Polonisë në kushte shumë të nxehta në St. Petersburg. Nuk do të ketë festë vere për lojtarët e Suedisë me familjet e tyre këtë vit për ditën kombëtare të vendit. Dita kombëtare e Suedisë është më 26 qershor, tri ditë para ndeshjes me Ukrainën. Por, kjo është një sakrificë që futbollistët janë të lumtur të bëjnë.

“Për mua, të festosh mesin e verës ka të bëjë me sallata dhe patate”, tha Andersson. “Këtë vit do të festojmë me nga një birrë të vogël gjatë rrugës për në shtëpi, pasi fokusi është tek Ukraina, e jo te festa”.