Një grup i tifozëve të Francës e ka humbur ndeshjen e “Euro 2020” të luajtur në fundjavë ndaj Hungarisë, pasi jo vetëm që e ka gabuar stadiumin, por e ka huqur plotësisht edhe gjithë shtetin.
“Les Bleus” kanë luajtur në kryeqendrën e Hungarisë, në Budapest, të shtunën pasdite. Por sipas gazetës rumune, “Jurnalul National”, gjashtë kolegë fatkeq, u nisën për në udhëtim ajror mëngjesin e asaj dite për të zbarkuar në kryeqendrën e Rumanisë, në Bukuresht. Budapesti e Bukureshti janë rreth 800 kilometra larg.
Budapesti. Bukureshti. Emrat kanë krijuar konfuzion.
Sipas gazetës rumune tifozët e kuptuan gabimin kur arritën në Bukuresht, pak orë para se të niste ndeshja. Ata kanë pirë në qytet së bashku me disa tifozë ukrainas që i kanë takuar në aeroport. As flamujt e Rumanisë dhe gjuha e folur nga punëtorët në aeroport nuk kanë bërë që tifozët të kuptojnë se kanë udhëtuar për në vend të gabuar. Francezët kanë udhëtuar për në qendër të qytetit së bashku me tifozët ukrainas.
Ukrainasit ishin në Bukuresht për arsyen e duhur – para ndeshjes së përfaqësueses së tyre ndaj Austrisë, që u luajt të hënën mbrëma.
“Ne kemi menduar se janë tifozë të Hungarisë që po shkojnë në ndeshje dhe i kemi përcjellë ata, duke menduar se pasi janë nga qyteti e dinë rrugën për në stadium”, ka thënë një tifoz francez për “Jurnalul National”.
Gjatë argëtimit, tifozët francezë e kuptuan se në të vërtetë ishin shumë larg stadiumit “Pushkash Arena” në Budapest. Nuk kishin asnjë shans për të arritur me kohë në Budapest për të parë ndeshjen e Francës.
Tifozët francezë u pyetën nga gazetari rumun Adi Munteanu, nëse kishin udhëtuar nga Kievi, pasi ai vuri re se nuk po bashkoheshin në brohoritje me tifozët ukrainas.
Tifozët francezë u përgjigjen: “Jemi këtu gabimisht. U bë e qartë se nuk jemi ku duhet të ishim”.
Pasi kuptuan realitetin, tifozët e Francës vendosën të qëndronin në Bukuresht. U akomoduan me shpejtësi dhe e shikuan ndeshjen në televizion, barazimin 1:1. Por ndeshjen e pamë nga largësi shumë më e madhe se që kishin planifikuar.
Grupi vendosi të qëndrojë në kryeqendrën rumune dhe prej atje ta përcjellin ndeshjen tjetër të Francës, atë të së mërkurës, që sërish luhet në “Pushkash Arena” në Budapest ndaj Portugalisë.
“Duhet të mësojmë më shumë për Evropën”, ka thënë njëri prej tifozëve.
Nuk është hera e parë që tifozë të futbollit gabojnë destinacionin për shkak të ngjashmërisë së emrave të qyteteve, apo që nuk e kanë ditur mirë se ku po shkojnë.
Bukuresht - Budapest
“Gjashtëshja e pafat”, nuk është e vetmja që ka vuajtur nga përzierja e emrave të kryeqendrave të Rumanisë dhe Hungarisë.
Në vitin 2012 një grup i madh prej 400 tifozëve të Athletic Bilbaos ka humbur finalen e Ligës së Evropës, pasi kanë bërë gabimin e njëjtë. Tifozët aranzhuan një fluturim privat për në Budapest, jo Bukuresht, dhe kështu humben ndeshjen më të madhe të Bilbaos për shumë vjet. Ekipi bask humbi nga Atletico Madridi, kështu që ky gabim ndoshta nuk ishte shumë i rëndë.
Gent - Genk
Kush mund të harrojë telashin e tifozëve të Liverpoolit që humbën ndeshjen e Ligës së Kampionëve pasi udhëtuan në qytetin e gabuar. Tifozët arritën me kohë për të parë ndeshjen ndaj ekipit belg, Gent. Por puna ishte që Liverpooli po luante ndaj Genkut, mbi 100 kilometra më larg. Natyrisht tifozët e humbën ndeshjen, por kishte ngushëllim. Klubi lokal, Gent u ofroi atyre bileta për të parë ndeshjen e Ligës së Evropës ndaj Wolfsburgut, një natë më vonë.
Uellsi - Uellsi
Një gabim të rëndë bënë edhe tifozët e Belgjikës, që i besuan plotësisht navigacionit për udhëtimin e gjatë rrugor për të parë përfaqësuesen e tyre duke luajtur ndaj Uellsit në kualifikimet për “Euro 2016”. Tifozët e shkruan thjesht Uellsi në GPS dhe u nisën me minibusin e tyre, duke ndjekur me zell drejtimin e dhënë. Por përfunduan në një fshat të vogël anglez me të njëjtin emër, Uellsi (Wales), afro 300 kilometra larg stadiumit të Kardifit.
Frankfurti - Frankfurti
Navigacioni satelitor duhet fajësuar edhe për rastin e tifozëve të Benficas, që vendosën për udhëtim 28-orësh nga Lisbona për të parë ekipin e tyre duke luajtur ndaj Eintracht Frankfurtit në gjysmëfinale të Ligës së Evropës në vitin 2019. Për fatin e keq të shoferit Alvaro Oliveira, ai ka zgjedhur “Frankfurtin” e gabuar nga lista e opsioneve në GPS-në e tij. Kështu ka dërguar shokët e tij në një fshat të vogël në Gjermaninë Veriore, rreth 611 kilometra larg stadiumit të Eintracht Frankfurtit.
Për fat të mirë, ka pasur kohë të mjaftueshme për Oliveiran që ta kthejë veturën e tij dhe të arrijë me kohë për ndeshjen në Frankfurtin e duhur.