Euro 2020

Griezmanni pret gol të Benzemas në Evropian

Antoine Griezmann shënoi të shtunën golin e tij të parë në Kampionat Evropian dhe tash po pret që edhe bashkëlojtari i tij Karim Benzema të realizojë një gol, raporton AP. 

Benzema lëshoi një rast ideal të shtunën ndërsa Franca barazoi 1:1 kundër Hungarisë. Për Francën golin e vetëm e realizoi Griezmann në pjesën e dytë.

Benzema ka realizuar 30 gola për Real Madridin në stinorin e sapo përfunduar, mirëpo nuk ka shënuar asnjë gol në katër ndeshje që nga rikthimi te Franca. Ai nuk ka realizuar asnjë gol në kampionate evropiane. Nuk realizoi gol në Euro 2008 dhe Euro 2012, ndërsa nuk u ftua në Euro 2016.

“Nuk kam dyshime në veten, por si sulmues duhet të shënosh gol për t’u ndjerë i çliruar. Mendoj se edhe Karimi me të shënuar gol do ta hapë tapën dhe uji do të fillojë të rrjedhë. Ne jemi të gjithë prapa tij dhe ai e di se e ka përkrahjen tonë”, ka thënë Griezmann, transmeton KOHA.