Euro 2020

Barella thotë se nuk ka xhelozi në ekipin italian

Nicolo Barella (AP)

Nicolo Barella ka folur për entuziazmin te Italia pas fitores 3:0 ndaj Zvicrës. Sipas tij, në ekipin italian nuk ka xhelozi dhe kjo ka ndikim.

Për Italinë ishte fitorja e dhjetë rresht pa gol të pranuar. Dy gola i shënoi Manuel Locatelli, ndërsa një e shtoi Ciro Immobile.

“Nuk mendoj se ka sekrete në suksesin tonë. Ju mund të shihni që në këtë grup ka unitet dhe entuziazëm, brenda dhe jashtë fushës. Ne e bartim këtë në lojë, kështu që po fitojmë dhe po jemi bindëse”, ka thënë Barella, që asistoi në golin e dytë.

“Gjithnjë kam thënë se uniteti është çdo gjë në këtë grup. Nuk ka rëndësi kush luan, ne të gjithë sjellim shpirtin e njëjtë dhe japim kontributin tonë. Nuk ka xhelozi, nuk ka zili profesionale mes nesh”, ka shtuar Barella.

Locatelli shënoi dy gola, Jorginho gjuan penalltitë, por Barella nuk ndihet i lënë anash.

“Unë vetëm mundohem ta ndihmoj ekipin dhe jam i lumtur, pavarësisht kush shënon. Nuk më duhen golat që të ndihem i lumtur”.

Barella ka thënë se dëshirojnë fitore të njëjtë edhe ndaj Uellsit. Sipas tij mentaliteti i Italisë është që të fitojë.

“Ne po ndihemi të sigurt dhe duam të kalojmë grupin me tri fitore”.