Euro 2020

UEFA e shqetësuar për rastin e Pavardit

Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka kontaktuar Federatën Franceze të Futbollit për të mësuar pse Benjamin Pavard vazhdoi të luante kundër Gjermanisë të martën mbrëma pavarësisht se humbi vetëdijen për pak kohë.

Mbrojtësi i Bayer Muenchenit u përplas me Robin Gosensin e Gjermanisë në pjesën e dytë të fitores 1:0 të Francës. Pavard pranoi se ishte i tronditur nga goditja që mori.

“Unë pata një tronditje të rëndë. Unë u nokautova pak për 10 deri 15 sekonda. Pas kësaj isha më mirë”, ka thënë Pavard.

Por, UEFA dëshiron të dijë se çfarë ka ndodhur dhe nëse janë respektuar protokollet mjekësore. Para Evropianit, të gjitha përfaqësueset, mjekët ranë dakord se nëse ndonjë lojtar ka tronditje të trurit, atëherë do të largohet menjëherë nga fusha, qoftë në trajtim apo gjatë ndeshjes. Sindikata globale e lojtarëve tha se ishte në kontakt me UEFA-n për të zbuluar pse marrëveshja nuk u zbatua.