Euro 2020

Faktet për ndeshjen Holanda – Ukraina

1. Ky është takimi i parë ndërmjet Holandës dhe Ukrainës në një ngjarje të madhe (Botëror ose Evropian). Holandezët janë të pamposhtur në dy ndeshjet e fundit – të dyja miqësore. Fitoi në Rotterdam 3:0 në maj të vitit 2008, dhe barazoi 1:1 në Donetsk në muajin gusht të vitit 2010.

2. Holanda po merr pjesë për herën e 10-të në Kampionatin Evropian, dhe të parin prej vitit 2012. E fitoi garën në vitin 1988, duke e mposhtur Bashkimin Sovjetik 2:0 në finale. Kjo është ndeshja e parë në një ngjarje të madhe në “Johan Cruyff Arena” që prej gjysmëfinales së vitit 2000 kundër Italisë, në ndeshjen në të cilën holandezët dështuan të shënonin pavarësisht se kishin 31 gjuajtje dhe 71% të posedimit të topit. (0:0 pas vazhdimeve, 1:3 pas penalltive).

3. Përfshirë vitin 1988, vetëm Gjermania (6) ka arritur në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian më shumë se sa Holanda (4). Megjithatë, holandezët nuk kanë shkuar në gjysmëfinale që prej vitit 2004 dhe nuk kanë fituar ndeshje në garë që prej vitit 2008 – i humbën tri ndeshjet e grupit në vitin 2012-të.

4. Holanda ka barazuar vetëm dy herë në 22 ndeshjet e fundit në ngjarje të mëdha (Kupë të Botës dhe Evropian); të dyja ishin barazime pa gola që shkuan në penallti në Kupën e Botës 2014 (kundër Kosta Rikës dhe Argjentinës). Po ashtu, holandezët e kanë humbur vetëm një nga 12-të ndeshjet e fundit hapëse në turne të tillë, 0:1 kundër Danimarkës në “Euro 2012”.

5. Ukraina po merr pjesë për herën e tretë në Kampionatin Evropian, dhe për herën e tretë rresht. Deri tani, asnjëherë nuk e kanë kaluar fazën e grupeve.

6. Pasi e fitoi ndeshjen e parë në Kampionatin Evropian (2:1 kundër Suedisë më 11 qershor 2012), Ukraina i ka humbur pesë ndeshjet e fundit. Në fakt, vetëm Jugosllavia ka pasur seri më të gjatë të humbjeve në histori të garës (6 humbje rresht, nga ‘Euro 1968’ deri në “Euro 1984”)

7. Ukraina ka dështuar të shënojë gol në pesë ndeshjet e fundit në Kampionatin Evropian, seria më e gjatë pa shënuar nga ndonjë skuadër në histori të garës. Në fakt, asnjë nga 67 gjuajtjet në garë nuk kanë përfunduar në rrjetë.

8. Memphis Depay i Holandës ka shënuar apo asistuar në çdo 38 minuta në kampanjën kualifikuese për “Euro 2020” (6 gola + 7 asistimet në 495 minuta), statistika më e mirë në mesin e 55 lojtarëve të cilët janë përfshirë në të paktën pesë gola gjatë kualifikimeve.

9. Selektori i Holandës, Frank de Boer, ka nëntë paraqitje në Kampionate Evropiane si lojtar (në edicionet 1992, 2000 & 2004). Ai ishte kapiten i Holandës në gjysmëfinalen e vitit 2000 kundër Italisë. I humbi dy penallti. Një në kohën e rregullt dhe një në ekzekutimin e penalltive. Holanda u eliminua.

10. Andriy Pyatov i Ukrainës i ka pritur 88.6% të gjuajtjeve në drejtim të tij në kampanjën kualifikuese për “Euro 2020) (31 pritje nga 35). Statistika më e mirë në krahasim me portierët e tjerë të cilët janë paraqitur në më shumë se pesë ndeshje.

11. Andrey Shevchenko do ta udhëheqë Ukrainën si përzgjedhës i ekipit për herën e parë në një ngjarje (Kupë të Botës apo Evropian). Golashënuesi më i mirë i Ukrainës (48 gola), është po ashtu i vetmi lojtar që e ka gjetur rrugën e golit në Kampionat Evropian. Dy gola kundër Suedisë në qershor të vitit 2012.